Naim Rudari, ish-polic, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka folur për pakënaqësitë e pjestarëve të Policisë së Kosovës.
Rudari ka thënë se ka shumë njësi tjera të policisë që janë të pakënaqura përveç Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI).
“Ka shumë njësi tjera që janë të pakënaqura”, ka thënë Rudari.
Rudari është shprehur se protesta e NjSI-së nuk ndërlidhet me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, por me publikimin e shtesave të rrezikshmërisë nga Qeveria e Kosovës.
“Kjo nuk ndërlidhet fare me atë operacion por kjo ka rastisë me publikimin e shtesave të rrezikshmërisë nga Qeveria e Kosovës. Ata tani e kanë momentin, ose duhet të pajtohen me shtesat e rrezikshmërisë ose duhet të dalin të kërkojnë të drejtën e tyre”, ka thënë Rudari.
Ish pjesëtari i policisë tutje ka thënë se Qeveria dhe Ministria kanë rezultuar me disa deklarata “të pamatura”.
“Ata kanë provuar një herë dhe siç duket nga Qeveria dhe Ministria kanë rezultuar me disa deklarata të pamatura, assesi të mirëpritura”, ka shtuar ish-polici, Naim Rudari.
Pas protestës së një nëntorit, pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues (NjSI) kanë paralajmëruar protestë sërish të martën e shtatë nëntorit (nesër).
Protesta pritet të fillojë në ora 12 deri në ora 12:30 me qëllim për të shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.
Ndryshe, më 1 nëntor, Njësiti Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës.
Ata kanë protestuar me kërkesën për kushte më të mira duke shprehur pakënaqësinë ndaj qeverisë për vendimin për shtesat e rrezikshmërisë.
Bashkë me ta ishte edhe Njësia për Eksploziv dhe Deminim.
Ata i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me shtesat që u janë ndarë nga Qeveria e Kosovës.
“Njësia Speciale Intervenuese dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive jemi mbledhur para objektit të Qeverisë së Kosovës për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë tona në lidhje me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë sidomos përfshirjen e shtesave të parapara me ligj. Këto dy njësi janë të trajnuara dhe përgatitura me standardet më të larta ndërkombëtare, operatorët e këtyre njësive janë të specializuar dhe certifikuar në luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve dhe në rastin ku cenohet siguria kombëtare përkatësisht janë të specializuara në trajtimin e kërcënive me eksploziv dhe bomba gjithashtu edhe në situata ku rrezikshmëria vlerësohet tejet ekstreme prandaj jemi njësitë elite të Kosovës”, ka thënë një nga pjesëtarët e NJSI-së.
Ai ka thënë se si njësi janë të përgatitur dhe të barabartë me njësitë elite të botës.
“Jemi të përgatitura dhe të barabarta me njësitë elite të botës, një gjë të tillë e dëshmon pjesëmarrja dhe suksesi në shumë operacione policore dhe gara ndërkombëtare në të cilat kemi treguar rezultate të shkëlqyera”.
Kujtojmë që më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.
Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.
Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.