Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se Izraeli do të shqyrtojë mundësinë për “pauza të shkurtra taktike” në luftimet në Gazë, për të lehtësuar hyrjen e ndihmave humanitare ose për të lejuar daljen e pengjeve të mbajtura nga militantët e Hamasit.
Por, udhëheqësi izraelit përsëriti refuzimin e vendit të tij për një armëpushim të plotë nëse nuk lirohen të gjithë personat që mbahen peng nga Hamasi.
Zoti Netanyahu i bëri komentet në një intervistë për televizionin amerikan ABC, gjatë së cilës, u pyet se kush duhet ta qeverisë Gazën pas përfundimit të luftimeve.
“Unë mendoj se Izraeli do të ketë për një periudhë të pacaktuar përgjegjësinë për sigurinë e përgjithshme, sepse e kemi parë se çfarë ndodh kur nuk e kemi ne atë përgjegjësi”, tha zoti Netanyahu.
Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, që shkaktoi vdekjen e 1,400 vetëve, Izraeli filloi një ofensivë ajrore dhe tokësore kundër Hamasit, që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë një organizatë terroriste. Hamasi mori peng rreth 240 personave.
Bombardimet izraelite kanë vrarë të paktën 10,000 në Gaza, sipas autoriteteve shëndetësore të enklavës.
Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, e kanë kundërshtuar presionin ndërkombëtar në rritje për një armëpushim.
I pyetur nëse ai ishte i hapur për një pauzë humanitare në Gaza, Netanyahu tha “Nuk do të ketë armëpushim, nuk do të ketë armëpushim të përgjithshëm në Gaza pa lirimin e pengjeve tona”. Ai shtoi “Për sa i përket pauzave të shkurtra taktike – një orë këtu, një orë atje – ne i kemi pasur ato edhe më parë. Besoj se do të veprojmë në përputhje me rrethanat, në mënyrë që të mundësojmë hyrjen e mallrave humanitare ose daljen e pengjeve”.
Ndërkohë, gjatë telefonatës së tij të hënën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti Joe Biden nuk arriti një marrëveshje mbi nevojën për një pauzë humanitare të luftës Izrael-Hamas.
Uashingtoni ka bërë trysni për pauza në konflikt për të lejuar hyrjen e ndihmave.
Po ashtu, si Izraeli, edhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nga një armëpushim i plotë do të përfitonte vetëm Hamasi, shkruan VOA.
Presidenti Joe Biden diskutoi për pauza të tilla dhe mundësinë e lirimit të pengjeve në një telefonatë me zotin Netanyahun të hënën, duke përsëritur mbështetjen e tij për Izraelin, por duke theksuar njëkohësisht se duhet t’i mbrojë civilët, tha Shtëpia e Bardhë.