Ushtria izraelite tha më 7 nëntor tha se forcat e saj po luftojnë me luftëtarët e Hamasit brenda qytetit më të madh të Gazës, duke sinjalizuar për një fazë të re të madhe të luftës që ka nisur një muaj më parë dhe që ka marrë jetën e mijëra personave.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se pasi grupi militant Hamas të mposhtet në Gazë, Izraeli ka të ngjarë që të mbajë kontrollin e territorit.
Lufta nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit, që la të vrarë mbi 1.400 persona dhe militantët morën mbi 200 pengje. Nga kundërpërgjigja e ashpër e Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 10.300 palestinezë dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, dy e treta e viktimave janë gra dhe të mitur.
Pothuajse 70 për qind e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre, dhe mbi 700.000 janë strehuar në shkollat e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara.
Për më shumë se një javë, trupat tokësore izraelite janë duke luftuar me militantët palestinezë brenda Gazës. Ushtria izraelite ka ndarë në dy pjesë qytetin e rrethuar të Gazës.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se forcat tokësore izraelite “tani gjenden në thellësi të qytetit të Gazës dhe po i bëjnë presion të madh Hamasit”.
Të martën, më 7 nëntor, Izraeli kreu një valë të re të sulmeve ajrore në Rripin e Gazës, përderisa qindra palestinezë të tjerë u larguan në jug të qytetit të Gazës.
Qindra mijëra banorë të territorit i janë bindur urdhërit të Izraelit që të largohen për në jug të Gazës, duke u larguar nga vendi ku po kryhet sulmi tokësor.
Por, bombardimet në jug kanë vazhduar.
Izraeli thotë se shënjestron luftëtarët e Hamasit dhe infrastrukturën dhe akuzon grupin se po vë në rrezik civilët, pasi operon mes tyre.
Izraeli është zotuar se do ta largojë nga pushteti Hamasin në Rripin e Gazës dhe do të shkatërrojë aftësitë e tij ushtarake.
Zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar se ofensiva kundër Hamasit do të zgjasë për një kohë si dhe kanë pranuar se nuk kanë ndonjë plan të qartë se çfarë do të ndodhë pasi të mposhtin Hamasin.
Trupat izraelite dhe kolonët u tërhoqën nga Gaza më 2005, por Izraeli vazhdoi të mbante kontrollin e hapësirës ajrore dhe bregdetin e territorit. Hamasi mori pushtetin nga forcat besnike të presidentit të Autoritetetit Palestinez, Mahmoud Abbas më 2007./REL