Zyrtarët botërorë të shëndetësisë janë shprehur të alarmuar për rastet në rritje të lisë së majmunëve në Evropë dhe gjetkë.
Ky lloj i infeksionit viral është më i zakonshëm në pjesën perëndimore dhe qendrore të Afrikës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka deklaruar se deri më 21 maj, 12 shtete anëtare të saj, që nuk janë endemike për virusin, kanë raportuar 92 raste të konfirmuara dhe 28 të dyshuara, shkruan Reuters.
Sa është e rrezikshme lia e majmunëve?
Një zyrtar i shëndetit publik në SHBA, të premten ka deklaruar para mediave se rreziku aktualisht është i ulët.
Si virus, lia e majmunëve mund të shkaktojë ethe dhe dhimbje dhe, kryesisht, shfaqet me puçrra të fryra të kuqe.
Ajo lidhet me linë, por zakonisht është më e butë, e sidomos varianti i Afrikës Perëndimore, i cili ka një shkallë vdekshmërie prej rreth një për qind.
Shumica e njerëzve shërohen plotësisht për dy deri në katër javë, ka thënë zyrtari amerikan.
Virusi nuk transmetohet lehtë sikurse virusi SARS-CoV-2, që ka shkaktuar pandeminë globale COVID-19.
Ekspertët besojnë se lia e majmunit përhapet nga kontakti i ngushtë – lëkurë me lëkurë – me dikë që ka skuqje aktive.
“COVID përhapet përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe është shumë infektiv. Kështu nuk duket se është rasti me linë e majmunit”, është shprehur Martin Hirsch, nga Spitali i Përgjithshëm në Masaçusets të SHBA-së.
“Ajo që duket se po ndodh tani, është se [lia] ka hyrë në popullatë si formë seksuale, si formë gjenitale dhe po përhapet sikurse infeksionet që janë seksualisht të transmetueshme”, ka thënë zyrtari i OBSH-së, David Heymann, po ashtu specialist i sëmundjeve infektive.
Çfarë i ka shqetësuar ekspertët shëndetësorë?
Shpërthimet e fundit të raportuara janë atipike, sipas OBSH-së, pasi ato po ndodhin në vende ku virusi nuk qarkullon rregullisht. Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë origjinën e rasteve aktuale dhe nëse ka ndryshuar ndonjë gjë në lidhje me virusin.
Shumica e rasteve të raportuara deri më tani janë zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe Portugali.
Ka pasur, gjithashtu, raste në Kanada dhe Australi dhe një rast i vetëm në Boston, por zyrtarët e shëndetit publik në SHBA kanë paralajmëruar se ka gjasa që të shfaqen raste të reja.
Zyrtarët e OBSH-së kanë shprehur shqetësimin se shkalla e infeksionit mund të rritet, pasi njerëzit mblidhen për festivale, festa dhe pushime gjatë muajve të verës, në Evropë dhe gjetkë.
Si mund të mbrohen njerëzit kundër infeskionit?
Mbretëria e Bashkuar ka filluar t’i vaksinojë punonjësit e kujdesit shëndetësor që mund të jenë në rrezik. Imunizimi bëhet me vaksinën e lisë, e cila gjithashtu mund të mbrojë kundër lisë së majmunëve.
Qeveria e SHBA-së thotë se ka mjaftueshëm vaksina kundër lisë – të ruajtura në Stokun e saj Kombëtar Strategjik – për të vaksinuar gjithë popullsinë amerikane.
Ekzistojnë barna antivirale për linë që mund të përdoren gjithashtu për të trajtuar linë e majmunëve në rrethana të caktuara, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore në SHBA.
Më shkurt, zyrtarët shëndetësorë thonë se njerëzit duhet të shmangin kontaktin e ngushtë personal me dikë që ka skuqje në lëkurë. Njerëzit që dyshojnë se kanë linë e majmunit, duhet të izolohen dhe të kërkojnë kujdes mjekësor.
Çfarë mund t’i ketë shkaktuar rastet e reja?
“Viruset nuk janë asgjë e re dhe e papritur”, ka thënë Angela Rasmussen, virologe në Organizatën e Vaksinave dhe Sëmundjeve Infektive në Universitetin Saskatcheëan, në Kanada.
Sipas saj, një numër faktorësh, përfshirë shtimin e udhëtimeve globale dhe ndryshimin e klimës, kanë përshpejtuar shfaqjen dhe përhapjen e viruseve.
Në vazhdën e pandemisë COVID-19, bota është gjithashtu më në gatishmëri ndaj shpërthimeve të reja të viruseve, shtoi Rasmussen.