Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në bankën e të akuzuarve janë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi.
Seanca pritet të nisë në orën 09:00.
Ndryshe, Gjergj Dedaj, ish-ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, është duke e vazhduar dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës.
I pyetur nga avokati se a kishte zyrtarë dhe politikanë që flisnin kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dedaj ka thënë se ka pasur nga parti të ndryshme, përfshirë edhe LDK-në.
“Ishin të partive të ndryshme, sepse në UÇK ka pasur anëtarë të të gjitha partive, edhe anëtarë të Partisë Liberale të Kosovës. Ka pas edhe individë, më shumë në LDK se ka qenë partia më e madhe, që kanë bërë propagandë anti-UÇK-së që kanë tentuar me denigru luftën heroike”, ka thënë Dedaj.