Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se pret që në takimin e javës së ardhshme të Njësive elitare të Policisë me kreun e Qeverisë, Albin Kurti, të gjendet një zgjidhje për kërkesat e tyre.
Në një adresim para gazetarëve, i pari i policisë shtoi se shtesat e policëve duhet të rriten.
“Pres të gjendet një zgjidhje gjatë takimit me kryeministrin, Albin Kurti, për kërkesat e Njësive elitare. Dorëheqje ka pasur edhe më herët nuk po ndodhin vetëm tani. Situata në veriun e Kosovës është e brishtë kur e dimë se ekzistojnë ende grupe kriminale në atë pjesë, por Policia e Kosovës është duke kryer detyrat e saj”, ka thënë Hoxha.
Njësia Speciale Intervenuese (NJSI) dhe Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME) dhe njësi të tjera të Policisë së Kosovës, kanë pezulluar protestën e paralajmëruar për këtë të martë.
Kjo, ngase Kurti u ka premtuar se javën e ardhshme do t’i presë në takim zyrtar për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre.
Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, me kërkesën kryesore që rrezikshmëria në punë të caktohet në 50 për qind të pagës bazë.
Ata kërkuan që “të mos përdoren politikisht dhe të mos luhet me dinjitetin e tyre”.