Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Maliq Berishës, drejtor i Shërbimeve Publike në komunën e Fushë-Kosovës, duke i caktuar një muaj arrest shtëpiak.
Ai është arrestuar dy ditë më parë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktvendimin e Themelores, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se i pandehuri Maliq Berisha në seancën dëgjimore e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, duke deklaruar se nuk është fajtor.
“Mendoj që nuk jam as fajtor edhe pse kam udhëheqë atë departament. Për projektin që ka qenë në fjalë unë vetë kam qenë kundër atij veprimi, sepse edhe pronari- përfituesit ia kom bo me dije se ti nuk ke të drejtë, por meqenëse prona e tij që gjendet afër një pike te ndijshme edhe here pas herë mund të atakohet nga vërshimet që bohen ajo pjesë, kamiona që qarkullojnë në atë pjesë dhe e kanë përdorë edhe si hapësirë për parkim”, ka thënë i pandehuri Berisha sipas aktvendimit.
Sipas të njëjtit aktvendim, edhe mbrojtësi i të pandehurit Berisha, avokati Valdrin Behrami, ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij duken i listuar disa arsye.
“E nderuar gjykatë, për gjitha këto arsyeje dhe rrethana të paraqitura deri me tani, shtuar faktin që i mbrojturi im është vetëm 3 muaj larg pensionimit, që 21 vite ka ushtruar këtë në kuadër të Fushë- Kosovës, as edhe një veprim i tij për gjatë të një karriera kaq të gjatë dhe me pozita udhëheqëses, nuk ka rënë ndesh me ligjin, tani është në një moshë të shtyrë me probleme të shumta shëndetësore dhe caktimi i një mase të tillë të paraburgimit pa dyshimi që do të rendonte gjendje e tij shëndetësore”, ka thënë avokati Behrami sipas aktvendimit.
Tutje, në aktvendim thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake Alltën Murseli ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e paraburgimit është e pabazuar, ashtu që e cakton masën e arrestit shtëpiak.
Ndërkaq, në kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Berisha thuhet se, ekziston dyshimi i bazuar se më datë 14 qershor në Komunën e Fushë-Kosovës, i pandehuri Berisha në cilësinë e personit zyrtar, si Drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Fushë-Kosovës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij duke i mundësuar të përfitojë materialisht Shukri Dervisholli.
Tutje, thuhet se i njëjti e ka dëmtuar buxhetin e komunës në shumën prej 10,303.00 eurosh.
“I pandehuri Maliq Berisha kishte kërkuar zyrës së prokurimit që të filloi me procedurat e prokurimit për aktivitetin e prokurimit “Ndërtimi- vendosja e kubëzave në trotuarin e territorit të Komunës së Fushë-Kosovës”, duke përfshirë në projekt edhe pjesën e trotuarit për të cilin më parë ishte shpall tenderi dhe ishin kryer punimet e krejt kjo me qëllim që t’i mundësohet shtrimi i kubëzave në vend tjetër pra, në pronë private në parkingun e Shukri Dervisholli në fshatin Vragoli të K. Fushë Kosovës”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.
Sipas kërkesës së prokurorisë, me këto veprime Berisha dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 te KPRK-së.