Gjergj Dedaj ka mbaruar dëshminë e tij treditore në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas marrjes në pyetje nga trupi gjykues, përmes gjyqtarit Guenawl Mettraux, Dedaj u mor në pyetje edhe nga gjyqtari Christoph Barthe, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Barthe pyeti dëshmitarin lidhur me raportet që kanë pasur “Personi 1” me Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, për të cilin, sipas Dedajt, nuk dihet saktë nëse ka qenë i pranishëm në ngjarjen në Baicë.
Mbrojtja e Thaçit, përmes avokatit Luka Misetiq, pati disa pyetje shtesë për dëshmitarin, të cilat i bëri në seancë private.
Përveç mbrojtjes së Thaçit, për dëshmitarin Dedaj pati pyetje shtesë edhe mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokatit Eric Tully, por që ishin me përmbajtje të redaktuar për publikun.
Ndryshe, Dedaj dëshminë e tij e ka filluar të hënën më 6 nëntor.