Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se në seancën e sotme të Kuvendit, kjo parti do të kërkojë rritjen e koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro.
“Sot me fillim në ora 10:00 vazhdon punimet Kuvendi i Kosovës ku si pikë e rendit të ditës pritet të jetë për votim rezoluta e propozuar nga AAK për rritjen e koeficientit të pagave nga 105 në 129 euro”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka kërkuar që deputetët të bashkohen dhe të votojnë “Për”.
“Duke ditur që jemi në një situatë të rëndë ekonomike në vend; Faktin që punëtorët në administratën e shtetit menxi po e lidhin muajin me muaj; Duke vlerësuar që edhe raportet e fundit të Bankës Botërore po këtkojnë që të shmangët një kolaps ekonomik, vlerësojmë se: është tepër me rëndësi që sot kuvendi të votoj rezolutën ku kërkohet të rritet koeficienti nga 105 ne 129”, ka vijuar ai.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar më herët se vlera e koeficientit do të ndryshojë në vitin 2024 dhe do të jetë 110 euro.