Me 86 vota për, Kuvendi i Kosovës ka votuar deklaratën në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e ka prezantuar Rezolutën para deputetëve.
“1. Kuvendi vlerëson lart të gjitha qëndrimet politike të PE-së në lidhje me cenimin e integritetit territorial nga Serbia. 2. Mbështet fuqishëm thirrjet për ta mbajtur përgjegjëse ndërkombëtarisht Serbinë si subjekt i hetimit ndërkombëtar. 3. I bashkëngjitet kërkesës së PE-së që sa më parë të ekstradohen në Kosovë planifikuesit e sulmit dhe cilido subjekt që e ka asistuar këtë sulm. 4. Vlerëson lart qëndrimet, përmes të cilave nënvizohet rëndësia e heqjes së masave ndaj Kosovës dhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë. 5. Fton Parlamentin që të luajë rol ende me fuqishëm në lidhje me qëndrimin që mbajnë 5 vendet mosnjohëse që ta njohin pavarësinë e Kosovës. 6. Vlerëson lart kritikën që PE i jep qasjes destruktive të Serbisë. 7. Fton PE të marrin në shqyrtim dhe të vlerësojnë aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat”, ka thënë Tahiri para deputetëve.
Ndryshe, më 24 shtator, grupe të armatosura sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.