Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka bërë thirrje për armëpushim në konferencën e ndihmës për Gazën.
“Në afat të menjëhershëm, ne duhet të punojmë për mbrojtjen e civilëve. Për ta bërë këtë, ne kemi nevojë për një pauzë humanitare shumë shpejt dhe ne duhet të punojmë drejt një armëpushimi”, ka thënë Macron para delegatëve në Paris.
Izraeli ka qëndruar larg bisedimeve për ndihmën për civilët në enklavën prej 2.4 milionë banorësh, ku Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se fushata ushtarake e Izraelit ka vrarë më shumë se 10 mijë e 500 njerëz, shumë prej të cilëve fëmijë.
Militantët e Hamasit sulmuan përtej kufirit nga Gaza në Izrael më 7 tetor, duke vrarë më shumë se 1 mijë 400 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke marrë rreth 240 pengje, thonë zyrtarët izraelitë.
Duke u zotuar se do të shkatërronte Hamasin, Izraeli u hakmor me një bombardim masiv, të pamëshirshëm dhe pushtim tokësor, derisa dhjetëra mijëra civilë janë larguar drejt jugut të Rripit të Gazës, raporton france24.
Por, Moshe Tetro, një oficer ushtarak izraelit që merret me çështjet civile në Gaza, tha të enjten se megjithëse “situata civile në Rripin e Gazës nuk është e lehtë”, shteti nuk sheh “asnjë krizë humanitare”.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, përsëriti të mërkurën se “nuk do të ketë armëpushim pa lirimin e pengjeve tanë”, duke thënë se ai donte “të shuante… thashethemet e rreme”.
Një burim i Hamasit i kishte thënë më herët AFP-së se bisedimet ishin duke u zhvilluar për lirimin e një duzinë pengjesh të mbajtura nga islamistët, duke përfshirë gjashtë amerikanë, në këmbim të një armëpushimi treditor në Gaza.