Profesori Seb Bytyqi, në një lidhje direkte në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka thënë se deklaratat e sotme të ambasadorit Hovenier në Prishtinë, janë mesazhe që të punohet tutje në implementimin e marrëveshjes.
“Është thirrje për Kosovën që të mos marrë shumë kohë në negociata për draft-statutin Asociacionit”, ka thënë Bytyqi.
Ai është shprehur se ka paqartësi se çfarë është “pranuar” nga Kosova në Bruksel, duke shtuar se pasi nuk ka pasur nënshkrim, ka hapësirë për negocim rreth draft-statutit.
“Ka një hapësirë negocimi dhe sigurisht që Kosova duhet të shfrytëzojë çfarëdo hapësire negocimi që e ka, duhet të negociojë deri në sekondin e fundit, rreshtin e fundit të çfarëdo dukumenti”, ka thënë tutje profesori.
Sipas tij, gjendemi në një situatë në të cilën Kosovës i konvenon që të negociojë sa më shumë për një draft-statut që i përshtatet më së miri vendit.
“Si duket tash po negociohet mes Kosovës dhe BE-së dhe gjithashtu kemi një presion që po shihet edhe në aspekte tjera, për shembull te Raporti i Progresit, tek mungesa e avancimit të pozitës së Kosovës”, ka shtuar profesori Seb Bytyqi.