Është nënshkruar sot një marrëveshje me vlerë prej 13.2 milionë eurosh për rehabilitimin e ujërave të zeza.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, drejtori i Zyrës për Kosovë të Bankës Gjermane për Zhvillim, Moritz Remé dhe kryeshefi i Kompanisë rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arsim Fetahu.
Marrëveshja është nënshkruar në kuadër të Projektit “Përshtatja e Zhvillimit Urban me Kushtet Klimatike dhe Menaxhimi i Ujërave të Zeza në Prishtinë”.
“Mbështetja financiare e nënshkruar sot i shtohet marrëveshjes fillestare të grantit me vlerë 28.8 milionë euro e nënshkruar në dhjetor të vitit 2022 duke e bërë vlerën totale të grantit 42 milionë euro. Qëllimi kryesor i projektit është përmirësimi i infrastrukturës së ujërave të zeza me synim garantimin e cilësisë së ujit dhe përmirësimin e shërbimeve publike të cilat u ofrohen qytetarëve të Kosovës”, ka njoftuar Ministria e Financave.
Projekti, ndër të tjera, siguron se zhvillimi urban në Kosovë realizohet në përshtatshmëri me ndryshimet klimatike dhe standardet ndërkombëtare për cilësinë e ujit.
Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit, të dyja palët shprehën përkushtimin për zbatimin e projekteve aktuale si dhe thellimin e mundësive të bashkëpunimit në të ardhmen.