Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se është java vendimtare sa i përket çështjes së tërheqjes së mjeteve monetare nga Fondi i Kursimeve Pensionale (Trust).
Teksa u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta mbështesin projektligjin, Haxhiu ka theksuar se kjo nuk është vetëm kërkesë e tij, por e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Tërheqja e mjeteve nga Trusti pensional i Kosovës është kërkesë e qytetarëve, dhe bazuar në këtë kërkesë të qytetarëve ne kemi proceduar plotësim- ndryshimin e ligjit për fondin e kursimeve pensionale, që do t’iu mundësonte qytetarëve tërheqjen e mjeteve deri në 30% nga kursimet e tyre në fondin pensional të kursimeve pensionale të Kosovës. Tash është java vendimtare sa i përket kësaj çështjeje, votimit të këtij projektligji”, ka thënë ai për EO.
Deputeti Haxhiu ka ftuar kryesinë e Kuvendit që ta procedojë projektligjin të enjten e 26 majit.
“Ftoj kryesinë ta procedojë për të enjten dhe pastaj ta shqyrtojmë. Ka edhe një pakënaqësi qytetare dhe po i ftoj deputetët e pushtetit që ta mbështesin këtë projektligj, sepse të gjithë kuvendi jemi me votën e qytetarëve dhe të votojmë pro kërkesës së qytetarëve”, shtoi ai.
Projektligji që mundëson tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pesionale (Trusti), tashmë është në duart e deputetëve të Kosovës.
Kështu ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, inicuesi i këtij projektligji, njëherësh deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.
Ai ka kërkuar nga deputetët e të gjitha subjekteve politike parlamentare që ta mbështesin këtë kërkesë të qytetarëve.
“Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30% të mjeteve nga Trusti u është shpërndarë sot deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve, dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu.
Deputeti Haxhiu, me vetiniciativë kishte dorëzuar në Kuvend Projektligjin për Fondet Pensionale të Kosovës, më nëntë mars.
Mundësinë për tërheqjen e mjeteve monetare nga Trusti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka parë si zgjidhje.
“E kemi thënë shumë më herët, edhe kur ishim në opozitë edhe tani. Me pakon e ringjalljes ekonomike e zbusim krizën, e cila për shkak se ka faktorë më të mëdhenj sesa në vendin tonë, nuk është e elimuneshme përnjëherë. Por, nuk konsiderojmë se duke marrë nga pleqëria individuale e punëtorëve të tanishëm, do të mund ta zgjidhim problemin. Edhe eksperët kanë thënë se një zgjidhje e tillë nuk është zgjidhje”, kishte thënë ai para mediave.
Ndërkaq, një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë edhe në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.
Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.
Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.
Të enjten protestohet për tërheqjen e 30% të mjeteve të Trust-it