Raporti i organizatës “Labyrinth” thotë se në gjashtëmujorin e vitit 2023, krahasuar me vitin e kaluar, është rritur numri i përdoruesve të drogave në Kosovë.
Memi Ademi nga “Labyrinth”, në një lidhje direkte në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, për këtë çështje ka thënë se ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë problem, por ai ka thënë se, po ashtu, është rritur dhe kërkesa për trajtim.
“Ne aktualisht kemi 2 mijë e 860 persona në databazën tonë dhe çfarë mbetet shqetësuese për neve është se mosha mesatare, fillimi i përdorimit, e cila ka ra në 16 vjeç, që do të thotë se fëmijët veçse i ka prekur kjo dukuri”, ka thënë Ademi.
“Vit pas viti numri i përdoruesve të drogave shkon duke u rritur, ndërsa braktisja e përdorimit të drogave shkon gradualisht më ngadalë”, ka thënë ai, duke shtuar se ka dhe 15 e 16 vjeçarë që kërkojnë trajtim.
Ademi ka treguar se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është duke hartuar Strategjinë Kombëtare kundër drogave në Kosovë, ku ndër objektivat kryesore është parandalimi, derisa theksoi pritshmëritë e tij për hartim të një plani parandalues të qëndrueshëm dhe afatgjatë. “Sepse deri më tash kemi pasur projekte të vogla dhe aktivitete të ndryshme prej Policisë së Kosovës”, është shprehur ai.
Por, nëse e krahasojmë Kosovën me vendet e rajonit, sipas tij, Kosova qëndron më mirë në këtë aspekt.
“Kur e krahasojmë Kosovën me vendet e rajonit ose të Evropës, mund të themi lirisht se punët i kemi më mirë, sepse numri i përdoruesve të drogave në Kosovë bazuar në dendësinë e popullsisë është më i ulëti në rajon. Por, për ne është shqetësuese me qenë vetëm një përdorues i drogave, e jo që ne besojmë që në Kosovë janë diku rreth 35 mijë përdorues aktivë të drogës”, ka shtuar Ademi nga “Labyrinth”.
Mes të tjerash, ai ka theksuar se ka dhe raste ku personat pas marrjes së trajtimit iu kanë rikthyer përdorimit të drogave, derisa ka potencuar se si “Labyrinth” nuk operojnë në vendet rurale dhe në qytete më të vogla të vendit.