Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të premten e dhjetë nëntorit Indeksin e Çmimeve të Inputeve në Bujqësi për tremujorin e tretë 2023, i cili bazohet në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë.
Sipas ASK-së, në tremujorin e tretë të vitit 2023, indeksi i input 1 ka rënie për 11.3%, krahasuar me periudhën e njëjtë 2022. Ndërsa, indeksi i Input 2 ka rritje 4,3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Ndërkaq, indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input 1+Input 2) ka rënie për 4.5%, krahasuar me periudhën e njëjtë 2022.
Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.
Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për Indeksin e Çmimeve të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (input 1) dhe mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (input 2).
Brenda grupit input 1, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.
Ndërsa, sa i përket input 2, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa të tjera (ndërtesat jorezidente të fermës, punë të tjera, përveç përmirësimit të tokës).