Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, është takuar me homologun nga Turqia, Ali Yerlikaya.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka thënë se Kosova është e interesuar që bashkëpunimi me Turqinë të shtrihet në ekspertiza specifike që do të kontribuonin në sigurinë e përgjithshme të Kosovës.
Ndër të tjera, ai ka theksuar se Kosova ka gëzuar përkrahjen e Turqisë që nga shpallja e pavarësisë e përgjatë procesit të shtetndërtimit, veçanërisht në fushën e sigurisë përmes ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe atyre teknike.
“Në këtë takim, shpreha mirënjohjen për marrëdhënien e shkëlqyeshme, si dhe diskutuam sfidat aktuale dhe mundësitë e reja për thellimin e bashkëpunimit, me theks në fushën e sigurisë dhe teknologjisë, në të cilat, Turqia ka shënuar arritje mbresëlënëse. Në frymën e gatishmërisë për t’i shkëmbyer përvojat më të mira dhe arritjet në fushat që Ministritë tona mbulojnë, me mirënjohjen për mbështetjen nga shteti turk, shpreha interesin që ky bashkëpunim të shtrihet edhe në ekspertizat specifike që do të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme në Republikën e Kosovës”, ka shkruar Sveçla.