Kurti në Spanjë përmend sulmin terrorist në Banjskë: Ka forca që synojnë të provokojnë luftëra të armatosura

"Ky sulm terrorist dëshmon që sot ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura për të minuar autoritetin dhe besueshmërinë demokratike, për të rrënuar të gjitha parametrat stabilizuese dhe paqen e fituar, për të ripërcaktuar kufijtë dhe imponuar rregulla të reja të rendit", ka deklaruar Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten ka folur përpara anëtarëve të organizatës socialdemokrate në Evropë ku u bë anëtare edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të cilën vetë Kurti e udhëheq.

Në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) në Spanjë, Kurti ka shprehur mirënjohjen që VV është bërë pjesë e kësaj familjeje evropiane.

“Shpreh kënaqësinë të jem midis jush në këtë qytet të lashtë multikulturor të Malagës, të këtij qyteti që është përballur me aq shumë sfida përgjatë një historie një mijë vjeçare dhe ka mësuar kaq shumë nga bota, duke filluar nga një kulturë e mirëfilltë e bashkëjetesës dhe mosdiskriminimit ndërmjet popujve. Është po ashtu një nder të jem këtu përpara jush dhe të shpreh në emër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Kosova, mirënjohjen time që keni pranuar partinë të cilën unë e udhëheq në mesin e familjes së Partisë së Socialistëve Evropian. Ky pranim, si anëtare vëzhguese në hapin e parë, është një dëshmi nga ana juaj e besimit tuaj ndaj qeverisjes së mirë, efikase dhe premtuese, të qeverisë që unë e drejtoj si kryeministër i Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se qeveria aktivisht do të vazhdojë përkushtimin ndaj zbatimit të politikave socialdemokratike.

“Prandaj, ju siguroj që do të vazhdojmë të dëshmojmë aktivisht përkushtimin tonë ndaj zbatimit të politikave socialdemokratike. Ne duam të tregojmë që progresi demokratik dhe qeverisja e mirë prodhojnë përfitime sociale dhe ekonomike. Me një përkushtimi të palëkundur ndaj sundimit të ligjit dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, po krijojmë mundësi të paprecedenta për prioritete të reja — drejtësi sociale dhe barazi, punësim dhe politika të rishpërndarjes në Kosovë, duke i sjellë dobi të gjithëve. Këto veprime tona po adresojnë ato që dy vjet e gjysëm para se të vinim ne në pushtet nuk ekzistonin fare si prioritete”, ka vijuar ai.

Kurti ka përmendur edhe sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë që siç thotë ai u financua nga shteti i Serbisë.

“Ndërkohë, siç e dini, më afër Bashkimit Evropian, një veprim tjetër agresioni është zhvilluar. Ai ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, kur vendi im u sulmua në tokën e vet, në pjesën veriore të territorit, nga një grup i armatosur mirë i terroristëve paramilitarë, të cilët ishin trajnuar, pajisur dhe financuar nga shteti i Serbisë, një fakt që është dëshmuar nga një varg provash të zbuluara pas sulmit. Një zyrtar policor nga Policia e Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën. Falë profesionalizmit shembullor të njësive speciale të policëve tanë, Kosova ka arritur t’i mposhtë terroristët, duke iu përgjigjur proporcionalisht këtij sulmi dhe duke shmangur një eskalim të pakontrolluar, gjë që ishte qëllimi i grupit kriminal paramilitar të kontrolluar nga Beogradi”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, ky sulm dëshmon se ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura.

“Ky sulm terrorist dëshmon që sot ka forca që synojnë të provokojnë konflikte dhe luftëra të armatosura për të minuar autoritetin dhe besueshmërinë demokratike, për të rrënuar të gjitha parametrat stabilizuese dhe paqen e fituar, për të ripërcaktuar kufijtë dhe imponuar rregulla të reja të rendit”, ka theksuar Kurti.

Ai ka përmendur edhe rezolutën e 19 tetorit të Parlamentit Evropian për Kosovën ku ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia nëse dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit me këtë ngjarje.

Kurti këtë rezolutë e quajti “tekstin më të qartë politik” për sulmin e 24 shtatorit.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika