Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShPK) ka njoftuar se uji nga Liqeni i Badocit ende nuk mund të përdoret për pije.
Koordinatorja për monitorimin e ujit, Burbuqe Nushi-Latifi në një konferencë për media ka thënë se ndonëse analizat e fundit laboratorike tregojnë një rënie të manganit në ujin e liqenit, këto vlera ende nuk i përmbushin standardet e parapara sipas udhëzimit administrativ për ujë të pijshëm.
Ajo ka theksuar se ky institut është duke e bërë në vazhdimësi monitorimin e ujit dhe të pamundurën që vlerat e manganit të ulen.
“Megjithëse analizat e fundit laboratorike tregojnë një rënie të manganit në ujin e liqenit, ende këto vlera nuk i përmbushin standardet e parapara. Dëshirojmë të sigurojmë popullatën se IKSHPK me KRU PRISHTINA po bëjnë atë që është kompetencat e tyre që vlerat e manganit të ulen, ngritja e vlerave të manganit është fenomen që ndodh gjatë ndërrimit të stinëve”, ka thënë Nushi-Latifi.
Ndryshe, më 19 tetor, sasia e madhe e detektuar e elementit kimik, mangan, bëri që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të kërkojë nga qytetarët që furnizohen me ujë nga fabrika e ujit e këtij liqeni, të mos e përdorin atë për pije dhe gatim.