Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës të premten kanë kryer kontrolle në dy lokacione në veri ku është hasur një sasi e konsiderueshme e mallit që dyshohet të jetë i kontrabanduar.
Aksioni i përbashkët në Zhitkovc të Zveçanit dhe hyrje të Leposaviqit ka rezultuar me konfiskim të mallit nga dogana që kryesisht ishin artikuj ushqimorë.
“Në të dy lokacionet ku janë kryer kontrolle janë hasur një sasi e konsiderueshme e mallit që dyshohet të jetë kontrabanduar. Dogana e Kosovës e ka konfiskuar mallin që kryesisht ishin artikuj ushqimor, në sasi më të madhe pije alkoolike (birra të brendeve të ndryshme, raki, verë, vodka etj.), por edhe çokolata, coca-cola e gjëra tjera të cilat janë evidentuar një njësitet e doganës.
Tutje thuhet se policia në bashkëpunim me doganën do të vazhdojë aktivitetet me qëllim që të parandalojnë aktivitete kriminale ndër kufitare duke bërë që mallrat që hyjnë në Republikën e Kosovës të jenë të kontrolluara në mënyrë që të jenë të sigurta për konsumimin nga qytetarët, por edhe t’i kalojnë procedurat e tatimeve të parapara sipas ligjeve të vendit.