Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është bashkuar thirrjes së Presidentit të Francës, Emmanuel Macron për armëpushim të menjëhershëm në Gaza.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama ka thënë se në kuadër të Forumit të Paqes në Paris është takuar me liderë dhe zyrtarë të ndryshëm me të cilët kanë rënë dakord se konflikti dhe vuajtjet e tmerrshme në Gaza duhet të marrin fund.
“Në Forumin e Paqes në Paris pata rastin të takoj liderë dhe zyrtarë të ndryshëm. Ne të gjithë ramë dakord se konflikti dhe vuajtjet e tmerrshme që krijon në Gaza, duhet të marrin fund. Si një anëtar i përkushtuar i NATO-s, ne shohim një model shqetësues, një angazhim negativ për të shkaktuar konflikte dhe për të mbjellë kaos në Hemisferën Veriore, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Këta agjentë të kaosit duhet të ndalen dhe të mposhten. Fatkeqësisht, zgjatja e vuajtjeve të civilëve në Gaza vetëm ushqen ambiciet e Hamasit dhe agjentëve të tjerë të kaosit”, ka shkruar Rama.
At the Paris Peace Forum, I had the opportunity to meet various leaders and senior officials. On Gaza, we all agree that the conflict and the horrible suffering it inflicts need to end.
As a dedicated member of NATO, we see a worrisome pattern, a sinister commitment to trigger…
— Edi Rama (@ediramaal) November 11, 2023
Ai ka thënë se mbështet deklaratën e Macron për armëpushim në Gaza me ç’rast sipas tij do të përfitonte edhe Izraeli.
“Jam dakord me vlerësimin e presidentit Macron se me armëpushim në Gaza do të përfitonte gjithashtu edhe Izraeli. Si një vend paqësor dhe shumë-fetar me një rini të gjallë, një fund i menjëhershëm i vuajtjeve civile të popullit palestinez dhe Izraelit dhe një paqe e qëndrueshme midis këtyre dy kombeve, është me interes strategjik për Shqipërinë. Unë do të vazhdoj të punoj me udhëheqës të tjerë dhe zyrtarë të tjerë për këtë qëllim”, ka theksuar Rama.
Ndryshe, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një intervistë për BBC-në të premten vonë ka thënë se Izraeli duhet patjetër t’i ndalë bombardimet në Rripin e Gazës dhe vrasjen e civilëve.