Kapiteni i ekipit kombëtar të Kosovës, Vedat Muriqi, tha se nuk është në dorën e lojtarëve t’i ndalin fishkëllimat dhe protestat e tifozëve në stadium, me të cilat futbollistët e Izraelit mund të përballen të dielën në Prishtinë gjatë ndeshjes së tyre kualifikuese për Euro 2024 kundër verdhekaltërve.
Izraeli do të përballet me Kosovën – vend me shumicë myslimane – në atë që është ndeshja e parë e kombëtares izraelite prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez, Hamas – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor.
Rreth 1.200 njerëz u vranë në Izrael nga sulmet e militantëve të Hamasit, sipas zyrtarëve izraelitë, ndërsa mbi 10.000 palestinezë u vranë në Gazë nga bombardimet hakmarrëse izraelite gjatë luftës tashmë njëmujore, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
I pyetur nëse pret që futbollistët izraelitë të fishkëllehen nga tifozët kosovarë në Stadiumin Fadil Vokrri për shkak të luftës së vendit të tyre në Rripin e Gazës, Muriqi ngurroi të flasë por tha se “është diçka që ndodh”.
“Për Izraelin është lojë e veçantë, por nuk dua të flasë jashtë fushës. Fishkëllimat ka në të gjitha stadiumet dhe fishkëllimat dhe protestat ne nuk mund t’i ndalim, kështu që, ne brenda fushës do të mundohemi të luajmë futboll, sa i përket tifozëve jashtë fushës, secili e ka përgjegjësinë e vet, prandaj nuk jam i interesuar për këtë punë personalisht”, tha Muriqi.
Stadiumi Fadil Vokrri zë rreth 14.000 tifozë.
Muriqi, sulmuesi i Mallorcas në kampionatin spanjoll Laliga, do të jetë kapiten i Kosovës kundër Izraelit në mungesë të kapitenit të parë, Amir Rrahmani, të cilin s’e liroi klubi i vet, kampioni italian Napoli, për këtë ndeshje.
Të shtunën më herët, Policia e Kosovës njoftoi se i ka shtuar masat e sigurisë dhe se i ka ndaluar materialet me përmbajtje fetare dhe politike përreth dhe pranë stadiumit në Prishtinë.
Policia tha se do ta bëjë kontrollimin e turmave të mundshme para, gjatë dhe pas ndeshjes jo vetëm pranë stadiumit, por në gjithë qytetin, përfshirë në sheshet e tij. Rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të mbyllura gjatë ditës së ndeshjes, po ashtu.
Edhe të shtunën kishte kontrolle të rrepta të sigurisë në hyrje të stadiumit dhe brenda tij nga zyrtarët e sigurisë.
Trajneri i Kosovës, Primoz Gliha, tha se lufta Izrael-Hamas nuk duhet të ndikojë në këtë ndeshje dhe se për të nuk është diçka e jashtëzakonshme të luash futboll në kohë lufte.
“Për mua, [nuk ndikon] jo aspak, sepse kjo është jeta, ne kemi pasur luftë në Jugosllavi, kemi luajtur në kushte të ngjashme. Por, futbolli është futboll. Jam shumë i pikëlluar për këtë [luftë]”, tha Gliha, i cili luante si futbollist profesionist për Dinamo Zagrebin kur atdheu i vet, Sllovenia, u pavarësua nga ish-Jugosllavia në vitin 1991.
Shtimi i masave të sigurisë para kësaj ndeshjeje vjen pasi një grup pro-palestinez kishte kërkuar leje nga Policia për protestë paqësore në ditën e ndeshjes, e cila u hodh poshtë për shkaqe sigurie.
Sipas ligjit kosovar, Policia mund ta ndalojë mbajtjen e një tubimi publik nëse qëllimi i tubimit është nxitja apo thirrja për përdorim të dhunës, urrejtjes racore, kombëtare, etnike apo fetare, shkruan REL.
Deri më tani janë zhvilluar dy protesta në përkrahje të palestinezëve në Prishtinë dhe një tjetër në Prizren.
Përveç marsheve në mbështetje të palestinezëve në Gazë, në Kosovë u nderuan edhe viktimat në Izrael.