Izraelitët ndihen të sigurt në Kosovë në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024

Ekipi kombëtar i Izraelit ka arritur në Kosovë në përgatitje për ndeshjen e tyre kundër Kosovës për kualifikimet e Euro 2024. Siguria e ekipit izraelit në Kosovë është vënë re dukshëm, ndërsa ata kanë thënë se janë këtu për ta përfaqësuar vendin e tyre dhe kanë bërë thirrje që qytetarët e Izraelit dhe të Kosovës të përqendrohen te sporti, duke hequr fokusin nga çështjet politike dhe të përqendrohen vetëm te ndeshja sportive

Ekipi kombëtar i Izraelit më 11 nëntor në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

Ekipi kombëtar i Izraelit ndihet i “sigurt dhe i rehatshëm” në Kosovë, në prag të ndeshjes kualifikuese për Euro 2024 kundër Kosovës të dielën në Prishtinë, thanë të shtunën trajneri dhe kapiteni i Izraelit.

Trajneri i Izraelit, Alon Hazan dhe kapiteni Eli Dasa e falënderuan Kosovën për mirëpritjen, pasi mbërritën në kryeqytetin kosovar të premten nën masa të rrepta të sigurisë.

Izraeli do të përballet me Kosovën – vend me shumicë myslimane – në atë që është ndeshja e parë e kombëtares izraelite prej se nisi lufta mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez, Hamas – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor.

Të shtunën më herët, Policia e Kosovës njoftoi se i ka shtuar masat e sigurisë dhe se i ka ndaluar materialet me përmbajtje fetare dhe politike përreth dhe pranë stadiumit në Prishtinë.

Policia tha se do ta bëjë kontrollimin e turmave të mundshme para, gjatë dhe pas ndeshjes jo vetëm pranë stadiumit, por në gjithë qytetin.

Disa ditë para kësaj ndeshjeje, një grup pro-palestinez kishte kërkuar leje për protestë paqësore në ditën e ndeshjes, por Policia e hodhi poshtë kërkesën e tyre për shkaqe sigurie.

Policia tha se do ta bëjë kontrollimin e turmave të mundshme para, gjatë dhe pas ndeshjes jo vetëm pranë stadiumit, por në gjithë qytetin, përfshirë në sheshet e tij. Rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të mbyllura gjatë ditës së ndeshjes, po ashtu.

Edhe të shtunën kishte kontrolle të rrepta të sigurisë në hyrje të stadiumit dhe brenda tij nga zyrtarët e sigurisë.

I pyetur në një konferencë për media në Prishtinë nëse kjo ndeshje është barrë për ta, Hazan e cilësoi atë si mundësi për t’i bërë izraelitët në atdhe të lumtur në një kohë të vështirë lufte.

“Kjo nuk është barrë për ne, ne e dimë se çfarë po përfaqësojmë dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta fituar këtë ndeshje dhe të sjellim gëzim te populli ynë. Kjo nuk është diçka që mund ta ndaloj ekipin kombëtar, duhet të jetë diçka që i frymëzon lojtarët”, tha Hazan.

Ai shtoi se ndihet “krenar” që ndodhet në Kosovë dhe se “uron që populli ynë dhe populli juaj [kosovar] do të jetojnë në paqe në të ardhmen”, raporton REL.

“Ne ndihemi të sigurt këtu dhe duam ta jemi mirënjohës për gjithçka që na kanë dhënë Qeveria dhe të gjithë njerëzit në Kosovë për mikpritjen”, tha Hazan, por bëri thirrje që njerëzit e Kosovës dhe të Izraelit të përqendrohen vetëm në futboll.

Kapiteni Dasa tha se ndihet “rehatshëm” në Kosovë dhe por, “po ashtu, ne nuk frikësohemi, ne jemi njerëz të Izraelit dhe jemi këtu për ta përfaqësuar vendin tonë.”

Shija e redaktorit

KQZ-ja bëhet anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës është zgjedhur anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Asociacionit të Trupave Zgjedhore Botërore (A-WEB) gjatë Asamblesë së Përgjithshme të...

“Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit”, Osmani: Kosova ka dhënë...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se Kosova mbetet një vend i angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit...

Ish-presidenti ​Moisiu: Bashkëpunimi mes ushtrisë së Shqipërisë dhe Kosovës, është...

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Moisiu thekson se dy vendet duhet të kenë...

Të fundit nga rubrika