Katërmbëdhjetë anëtarët e Forcave të Armatosura Britanike (KFOR) që kanë humbur jetën gjatë shërbimit në Kosovë, janë përkujtuar në një ceremoni të organizuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Ceremonia është mbajtur pranë Memorialit të Mbretërisë së Bashkuar në sheshin “Edit Durham” në qendër të Prishtinës, ku ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott tha se kujtimi për të rënët, është një ngjarje e veçantë për ambasadën.
“Faleminderit që jeni sot këtu gjatë kësaj dite që mund të përshkruhet vetëm si një ditë e motit britanik, e cila pjesërisht ndjej se sigurisht po ndodh për të mirëpritur trupat tona britanike që janë këtu si pjesë e rezervës strategjike të KFOR-it, shumë krenarë që i kemi me ne sot në atë që është gjithmonë një ngjarje shumë e veçantë për ne, është një ngjarje e veçantë për mua personalisht, një ngjarje e veçantë për ambasadën tonë dhe iu falënderoj që jeni këtu për ta bërë atë një ngjarje të veçantë për të gjithë ne që po marrim pjesë”, tha ai.
Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se forcat britanike kanë dhënë një mund të madh për Kosovën gjatë luftës, e veçanërisht në fazën e çlirimit të Kosovës, paqes dhe sigurisë.
“Sot në ditën e përkujtimit të ushtarëve dhe oficerëve britanik të rënë apo që kanë humbur jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë, kujtojmë gjithë mundin dhe sakrificën dhe angazhimin e forcave britanike në të gjitha fazat e zhvillimit të vendit tonë, veçanërisht në fazën e çlirimit të vendit tonë dhe në fazën e ruajtjes së stabilitetit sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Britania e Madhe vazhdon të luaj rol shumë të rëndësishëm në sigurinë e vendit tonë dhe në mbështetjen e vendit tonë në promovimin si në aspektin ndërkombëtarë, gjithashtu edhe në ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit tonë ,” vijoi ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha për KosovaPress, se Mbretëria e Bashkuar ka qenë e fuqishme në përkrahjen e lirisë së Kosovës.
“Ne si Kosovë kemi vëllezër të luftës, të cilët janë ushtarët e NATO-s, Mbretëria e Bashkuar ka qenë e fuqishme në përkrahje të lirisë tonë dhe si ish-ushtarë por edhe si deputet i Kosovës, e qytetar i këtij vendi, nderoj të rëntë e Mbretërisë së Bashkuar, pra ushtarët e KFOR-it në Kosovë, e po ashtu shprehim respekt për sakrificën e tyre, shërbimin e tyre, njëkohësisht për familjet e tyre dhe vendin”, tha Haradinaj.
Ceremonia vazhdoi me lutjen e priftit anglez, në mbrojtje të të gjithë ushtarëve anembanë botës që qëndrojnë për paqen dhe lirinë dhe kthejini të gjithë të sigurt në shtëpi, me familjet e personelit ushtarak që kanë vdekur dhe kujdesuni për familjet e tyre tani dhe në ditët në vijim. /KP