Të gjitha rrugët anësore që të dërgojnë në stadiumin “Fadil Vokrri” janë bllokuar.
Stadiumi i qytetit të Prishtinës vështirë të ketë pasur më parë më shumë forca sigurie se të dielën.
Gjithë ky mobilizim po ndodhë në prag të ndeshjes që kombëtarja e Kosovës e luan kundër Izraelit.
Lufta në Gaza ka alarmuar izraelitët që angazhuan edhe organet e veta të sigurisë, të cilat kontrolluan edhe disa prej lojtarëve të Kosovës.
Këtë e konfirmoi futbollisti Vedat Muriqi, ndonëse Federata e Futbollit të Kosovës u mundua ta mohojë një gjë të tillë.
Ky bashkërendim i aktiviteteve mes Kosovës e Izraelit i duket në rregull profesorit dhe ekspertit të sigurisë, Fatmir Çollaku.
“Ky bashkëpunim i organeve të sigurisë së Kosovës, sistemit të sigurisë së Kosovës, Policisë së Izraelit, si dhe institucioneve të tjera të sigurisë së Izraelit, të cilat kanë ardhë gjithnjë sipas protokollit ndërshtetëror, atëherë për mua është gjithçka normale dhe gjithçka e rregulluar me ligj dhe me dokumente ndërkombëtare”, ka deklaruar eksperti i sigursië, Fatmir Çollaku.
Çollaku thekson se organet e sigurisë nuk po duan t’i lënë asgjë rastësisë.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet, pra ka hartuar planin operativ, për të mos ia lënë rastit asgjë, që çdo gjë të zhvillohet mirë e mbarë në aspektin sportiv, kurse pjesa e sigurisë i takon Policisë dhe institucioneve të tjera, të cilat i kanë bërë përgatitjet maksimale që të zhvillohet kjo ndeshje në mënyrën më të mirë të mundshme”, vijon ai.
Sikur për tifozët e qytetarët, për këtë ndeshje rregullat do të jenë ndryshe edhe për gazetarët.
“Kosova deri më tani ka organizuar shumë ndeshje dhe pothuajse të gjitha kanë qenë të organizuara në nivelin më të mirë të mundshëm, por jo, nuk ka pasur nivel kaq të lartë të sigurisë në ndeshjet e kaluara. Është organizuar policia e Kosovës, inteligjenca, e po ashtu edhe shteti është në këmbë për këtë ndeshje”, ka thënë gazetari, Florim Maliqaj.
Ndeshja që luhet sonte, është e para për Izraelin pas nisjes së konfliktit në Gaza.