Me rastin e shënimit të 24 majit, “Ditës së Presidentit”, Vjosa Osmani ka vendosur lule tek ish-presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.
Presidentja Osmani, ka thënë se Rugova ishte arkitekt i shtetit të Pavarur të Kosovës.
“Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Historia e 24 majit dhe presidentët e Kosovës
Më 24 maj të vitit 1992 janë mbajtur zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale në Kosovë, në të cilat ishte zgjedhur president Ibrahim Rugova. Për nder të kësaj date, ish-presidenti Rugova, 24 majin e kishte inauguruar si “Ditë të Presidentit”.
Sipas ish-presidentit Fatmir Sejdiu, zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992, ishin mbajtur përkundër kërcënimeve të vazhdueshme të forcave serbe dhe dhunës që ata e ushtronin ndaj qytetarëve të Kosovës.
Përmes një shkrimi të tij, Sejdiu tregon se në atë kohë kishin marrë pjesë në zgjedhje rreth 22 subjekte politike dhe disa kandidatë të pavarur.
“Në zgjedhjet parlamentare kishin konkurruar 22 subjekte politike dhe kandidatë të pavarur. Pas një gare demokratike plurale, ishin zgjedhur edhe deputetët për Kuvendin e Republikës. Shumica dërrmuese ishin të Lidhjes Demokratikë të Kosovës, pastaj kishte deputetë të Partisë Parlamentare të Kosovës, Të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, të Partisë Fshatare të Kosovës, nga Partia e Aksionit Demokratik si dhe kandidatë të pavarur”, ka shkruar ai në Facebook.
“Ishin lënë edhe 14 vende rezervë për pjesëmarrjen e komuniteteve pakicë, si dhe për deputetë që duhet të zgjidheshin sipas sistemit proporcional (16). Ligji mbi Zgjedhjet parashihte sistemin e kombinuar. Sipas tij, 100 deputetë zgjidheshin drejtpërsëdrejti dhe 30 deputetë mbështetur në sistemin proporcional”, vijon ai.
Në atë kohë, pas zgjedhjes president të Ibrahim Rugovës 16 kongresistë amerikanë e kishin uruar Ibrahim Rugovën për zgjedhjen e tij në krye të vendit.
Profesori universitar, njëkohësisht anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka postuar një dokument me urimet dhe nënshkrimet e 16-të kongresistëve amerikanë.
Në historinë e saj, Kosova ka pasur shtatë presidentë të ndryshëm, presidenti i parë i zgjedhur ishte Ibrahim Rugova i cili mori këtë pozitë në vitin 1992. Pas vdekjes së Rugovës në vitin 2006, këtë pozitë e mori bashkëpartiaku i tij Fatmir Sejdiu, i cili u rizgjodh në këtë post në janar të vitit 2008, për të dhënë dorëheqje pas dy vjetësh, pasi Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se kishte shkelur kushtetutën e vendit.
Pas dorëheqjes së tij, në mënyrë të përkohshme e kishte ushtruar atëherë kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
Pas Krasniqit, në vitin 2011 president ishte zgjedhur Behxhet Pacolli, i cili këtë pozitë e kishte mbajtur vetëm 37 ditë, për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte gjetur parregullsi në procedurat e zgjedhjes së tij në postin e të parit të vendit.
Në vitin 2011, Atifete Jahjaga u bë presidentja e parë grua në historinë e shtetit të Kosovës, që për dallim nga disa ish-presidentë të tjerë, e kishte kryer mandatin e plotë.
Pas Jahjagës, president ishte zgjedhur Hashim Thaçi, i cili nuk arriti ta përfundojë tërësisht mandatin e tij, pasi Gjykata Speciale në Hagë e akuzoi atë për krime lufte.
Pas Thaçit, presidente e vendit u zgjodh Vjosa Osmani, e cila është edhe presidente aktuale e vendit.