Autoritetet e Shqipërisë kanë bërë të ditur se një grua shqiptare me katër fëmijët e saj të mitur janë evakuuar nga Rripa i Gazës dhe po udhëtojnë drejt Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka shprehur mirënjohje për autoritetet e Izraelit dhe Egjiptit, si dhe ambasadat shqiptare në dy shtetet, për përpjekjet e tyre gjatë operacionit të evakuimit, i cili zgjati tre javë.
Familja e evakuuar ndodhet tani në Egjipt dhe është duke përfunduar procedurat për të shkuar në Shqipëri.
“Pas tre javësh përpjekjesh e vështirësish, më në fund shtetasit e parë shqiptarë, një nënë dhe 4 fëmijët e saj të mitur, sapo lanë territorin e Gazës. Ata ndodhen tashmë të sigurt në Egjipt, ndërsa vijojmë procedurat për kthimin e tyre sa më të shpejtë në Shqipëri”, ka thënë Hasani, raporton Top Channel.
Për shkak të mungesës së një pasaporte shqiptare, procedurat po ndiqen në përputhje me regjistrat e gjendjes civile në Shqipëri.
Siç raportohet, gruaja ka prejardhje shqiptare nga nëna, kurse babai i saj është palestinez, i cili ka qenë student në Shqipëri në vitet ’70.
Bashkëshorti i saj, i cili mbetet në Gaza, nuk ka pasuar të njëjtën fat dhe nuk i është lejuar të largohet nga zona e konfliktit nga autoritetet.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se po punohet për kthimin e shpejtë dhe të sigurt të shtetasve të tjerë shqiptarë që ndodhen në Gazë.
Ndër ta është edhe vëllai i gruas së evakuuar, bashkë me familjen e tij.
Më herët, ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka thënë se nuk ka të dhëna për shtetas të tjerë shqiptarë në Gazë, por kanë qenë vetë këta shtetas që kanë kontaktuar Ambasadat në Izrael dhe Egjipt për të kërkuar ndihmë.
Në kontekstin e gjithë luftës, numri i shqiptarëve të larguar nga Izraeli ka shkuar në 71, dhe përpjekjet për evakuim po vijojnë në bashkëpunim me vende të tjera si Greqia dhe Mali i Zi.
Ndërsa, 40 shqiptarë arritën në Tiranë më 8 tetor përmes një fluturimi direkt nga Tel Avivi.
Dy ditë më vonë, u evakuuan edhe 20 të tjerë përmes një fluturimi të organizuar nga Greqia dhe 11 shtetas shqiptarë u evakuuan përmes një fluturimi të realizuar nga Mali i Zi.