Dëshmitari i 35-të (me kodin W04444) gjatë dëshmisë së tij ka pohuar se arrestimi dhe ndalimi i tij në fshatin Likoc nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kishte lidhje as me këta të fundit e as me luftën.
Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit, përmes avokatit Gregory Keohe, dëshmitari pohoi pretendimin se arrestimi dhe ndalimi i tij nga UÇK-ja kishte të bënte me një mosmarrëveshje apo sherr në mes tij dhe një familjeje nga fshati i tij.
Fillimisht, avokati Keohe parashtroi pyetjet për dëshmitarin, mirëpo përgjigjja e këtij të fundit nuk u dëgjua.
“Ju mendoni se qëndrimi juaj është se çfarë iu ka ndodhur, fakti që iu rrëmbyen dhe ndaluan në Likoc, kjo ka ardhur si rezultat i një mosmarrëveshje apo sherri që keni pasur me një familje në fshatin tuaj”, pyeti Keohe.
Ndërsa, pas riformulimit të pyetjes, dëshmitari pohoi një gjë të tillë.
“Pra, ajo se çfarë iu ndodhi juve nuk kishte lidhje as me UÇK-në as me luftën”, pyeti Keohe.
Pas kësaj, Keohe kërkoi që të kalohet në seancë private në mënyrë që të parashtrojë pyetje të tjera për dëshmitarin, gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues.
Vazhdon dëshminë dëshmitari i 35-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë dëshmitari i 35-të me kodin W04444, në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqit.
Këtë dëshmitar ka filluar që ta marrë në pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts.
Roberts pyetjet për dëshmitarin ka filluar që t’i parashtrojë në seancë të mbyllur, raporton “Betimi për Drejtësi”
Pas avokatit Roberts, këtë dëshmitar do ta marrin në pyetje edhe mbrojtja e të akuzuarve të tjerë si dhe trupi gjykues.
Dëshmia e këtij dëshmitari ka filluar të enjten më 9 nëntor 2023. Gjatë dëshmisë së tij, ai ka pretenduar se është arrestuar dhe keqtrajtuar nga pjesëtarë të UÇK-së.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi