Zyrtarët e Bashkimit Europian janë duke finalizuar “detajet e fundit” të një pakete të propozuar të 12-të të sanksioneve ndaj Rusisë, që do të miratohet këtë javë.
Borrell theksoi se paketa e 12-të e sanksioneve do të përfshijë më shumë listime, ndalime të reja eksporti, mes tyre diamante, veprime për të shtrënguar kufirin e çmimit të naftës në mënyrë që t’i ulë ardhurat që Rusia po merr.
“Ne jemi duke finalizuar detajet e fundit të kësaj pakete. Ajo do të hartohet me një vendim të Këshillit, i cili më pas do t’i miratojë vendimet përkatëse dhe një rregullore të Këshillit, e cila do t’u japë udhëzime shteteve anëtare se si të zbatojnë këto vendime. Kjo rregullore e Këshillit mund të miratohet të mërkurën me një propozim të përbashkët që unë dhe Komisioni Evropian do t’ia paraqesim Këshillit”, ka thënë Borrell.
Diskutimet mbi sanksionet e reja vazhduan pasi ministrat e Jashtëm të G7 dhanë dritën jeshile për vendosjen e kufizimeve për diamantet me origjinë ruse në një takim në Japoni.