Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se ka monitoruar Kuvendin Zgjedhor të Listës Serbe, i cili është mbajtur më 24 tetor 2023.
Sipas Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, e cila funksionon në kuadër të KQZ-së, pas monitorimit të Kuvendit dhe pas shqyrtimit të dokumenteve të pranuara nga Lista Serbe, rezulton se zgjedhja e kryetarit, kryesisë dhe nënkryetarëve është në përputhje me Rregulloren për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike dhe statutin e kësaj partie.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Besnik Buzhala tha se gjatë monitorimit të këtij procesi është konstatuar se gjithçka ka shkuar në përputhje me Rregulloren numër 1/2023 të regjistrimit dhe funksionimit të partive politike.
Lidhur me këtë, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi, tha se ka parë disa detaje që nuk janë të përfshira në raport. Ai tha se sipas neneve 17, 18, dhe 18, flitet për përgjegjësinë e anëtarëve dhe nënkryetarëve të kryesisë, derisa i bëri pyetje Buzhalës nëse është caktuar ndonjë masë ndaj këtyre anëtarëve, që sipas tij, kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist.
Tutje, Kurteshi potencoi se kryetari i partisë zgjidhet sipas rregullave me votim të fshehtë, “mandej thotë se kuvendi mund të vendosë që zgjedhja të bëhet me votim të hapur”, shkruan kp.
Lidhur me të gjitha këto, Buzhala u përgjigj duke thënë se “asnjëra nga këto nuk janë”, derisa shtoi se nuk i kanë vërejtur këto.
Sipas tij, në mbajtjen e kuvendit zgjedhor ka pasur shumë gazetarë dhe kanë qenë të vendosur në pjesën e fundit të hapësirës, derisa cek se kjo ka mundur të pengojë monitorimin.