Jo rrallë herë përdoren për transport, bile edhe disa herë brenda ditës.
Por kur këtë e bëri një vajzë mbrëmjen e së hënës në Prishtinë, u përball me diçka aspak të këndshme.
Ajo teksa ka shfrytëzuar taksin përgjatë rrugës “Bill Klinton” në kryeqytet, është sulmuar seksualisht fillimisht me fjalë e pastaj dhe me prekje nga vozitësi.
Se i dyshuari tashmë është nën pranga e ka konfirmuar Policia e Kosovës.
“Viktima femër kosovare ka raportuar se derisa ka qenë në veturën TAXI, i dyshuari mashkull Kosovar-ngasësi, e ka ngacmuar me fjalë të ndryshme ka filluar ta prekë në pjesën e trupit (këmbë). I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
E vetmja gjë pozitive në këtë rast, sipas Rrjetit të Grave, është guximi i grave për të raportuar raste të tilla.
“Fakti që vajza ka pas guximin edhe ka raportu këtë rast mendoj që është një ndryshim pozitiv shumë I madh, deri vonë kemi pasë raste kur gratë vajzat janë ngacmu, janë sulmmu e ato janë frikësu edhe me raportu nga frika se nuk do të besohet storja e tyre, kemi pa shpesh këto raste sidomos në polici”, ka thënë Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave
Varësisht moshës së viktimës e rrethanave hetuesia trajton, avokati tregon edhe se sa është i dënueshëm ky akt.
“Në paragrafin e parë e ka përcaktuar dënimin me gjobë ose me 6 muaj burgim deri në 1 vit, si dënueshmëri bazë e kryerjes së kësaj vepre, pastaj në paragrafin 2 e ka parashikuar dënimin prej 1 deri në 7 vite, në rastet kur gjykata vërteton se i akuzuari e ka kryer veprën me dhunë, kanosje ose të ketë shfrytëzuar situatën e pambrojtur të viktimës”, ka thënë avokati, Florim Shefqeti.
Adelina Berisha përmend mendësinë në Kosovë, teksa bën me dije pse këto raste vazhdojnë të ndodhin me të madhe.
“Një pjesë e burrave dhe djemve në Kosovë, që mendojnë se ata kanë pushtet, ndaj grave dhe vajzave, dhe në momentin kur një grua apo vajzë ka kontakt me ta ata kanë të drejtë ta ushtrojnë këtë pushtet”, ka thënë Berisha.
Një aktgjykim lirues i një prej gjykatave të vendit në një rast të ngjashëm ku viktimë ishte një 19-vjeçare, pati bërë bujë të madhe para disa vitesh.
Arsyetimi i më poshtëm ishte vlerësuar skandaloz:
“…ka ndodhur ngjarja lëndore me dëshirën e saj ka pranuar fillimisht që ditën kritike të udhëtoj me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, edhe pse e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore”.