Policia e Kosovës ka pranuar një kërkesë për bashkëpunim nga Gjermania, ku kërkohej bashkëpunim në ndalimin e një personi të dyshuar për autoritetet gjermane.
Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari që tashmë është arrestuar ishte me shtetësi jordaneze dhe gjermane.
Vendndodhja e të dyshuarit ishte lokalizuar në një hotel në Prishtinë.
“I dyshuari mashkull është arrestuar dhe është gjetur se ai posedon dy palë dokumente (jordaneze e gjermane), por me identitet të ndryshëm, përfshirë moshën në njërin dokument figuronte si 26 vjeçar e në tjetrin 23 vjeçar. Hetuesit policorë të dyshuarin e kanë shoqëruar në zyre të FAST Kosova për të vazhduar me procedurat e parapara në raste të tilla”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Themelore të Departamentit të Përgjithshëm në Prishtinë, i dyshuari është dërguar në mbajtje.