Janë bërë më shumë se dy orë që kur ka filluar takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI) të Policisë së Kosovës.
Në këtë takim po merr pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Gjatë këtij takimi pritet të diskutohen kërkesat e tyre pas protestës për shtesat e rrezikshmërisë.
Pjesëtarët e NjSI-së kanë protestuar më 1 nëntor për t’i shprehur pakënaqësitë lidhur me pagën, rrezikshmërinë dhe shtesat e tjera.
Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës i prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.
Për njësitet elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë 150 euro mbi pagën bazë.
Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.