Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, po qëndron në vizitë zyrtare në Bruksel ku ka marrë pjesë në tryezën për Ballkanin Perendimor, organizuar nga grupi politik liberal i Parlamentit Evropian, Renew Europe.
Në margjinat e kësaj vizite, Krasniqi ka takuar lhan Kyuchyuk, bashkëpresidentin e ALDE, Stéphane Séjourné, president i Renew Europe dhe Janez Lenarçiç, komisionerin Evropian për Menaxhimin e Krizave.
Në këtë takim, Krasniqi ka theksuar qëndrimin se BE duhet t’i heqë sa më parë masat e padrejta ndaj Kosovës.
Tutje, ai ka thënë se është tejet e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare, me njohjen e ndërsjellë në qendër.
“Paqja, siguria dhe stabiliteti rajonal janë interes i përbashkët i Kosovës dhe BE-së. Në këtë proces, është tejet e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përfundimtare, me njohjen e ndërsjellë në qendër. Po ashtu, ritheksova qëndrimin se BE duhet t’i heqë sa më parë masat e padrejta ndaj Kosovës. PDK është mirënjohëse ndaj aleatëve ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit tonë”, ka shkruar Krasniqi.