Deputeti i VV-së, Arber Rexhaj, në “Debat Plus” ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk do ta pranonte dhe nuk e pranon një Asociacion të Komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
Rexhaj potencoi se Asociacioni është pranuar në vitin 2013.
“Asociacioni është pranuar në vitin 2013. Dhe ajo çfarë po them është jo Asociacion me kompetenca ekzekutive, ku do ta barte përgjegjësi Kosova, që pastaj do të na defunksionalizonte në kuptimin territorial e të sovranitetit, mendoj që zoti Kurti nuk do ta pranojë edhe nuk e pranon”, ka thënë Rexhaj.
Sa i përket draft-statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të publikuar nga ish-inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Burim Ramadani, Rexhaj ka theksuar se nuk komenton një dokument që nuk është zyrtar.
Rexhaj, gjithashtu, ka kritikuar opozitën se pse nuk po i informojnë qytetarët për draft-statutin e Asociacionit.
“Nuk i hi në debat një dokumenti që nuk është zyrtar… Drafti që është duke qarkulluar në publik, nëse ky është i vërtetë, unë po çuditem një gjë, sikur unë të isha opozitë, moti kisha dalë edhe qit draft e kisha prezantuar para qytetarëve… Sikur unë të isha opozitë e që realisht nuk do të isha nën faj, do të dilja edhe me e shpjegu draftin qysh ata e kuptojnë, nuk ka zë prej opozitës. E dyta, opozita nuk del me kundërshtu një draft të tillë se është paraprijëse e Asociacionit në Kosovë…”, ka shtuar Rexhaj.