Zjarrfikësit paralajmërojnë protestë nëse nuk u paguhen shtesat e rrezikshmërisë

Zjarrfikësit e Kosovës kanë reaguar pas vendimit të sotëm të Qeverisë ndaj Policisë së Kosovës për miratimin e shtesave për rrezikshmëri në punë.

Përmes një reagimi të gjatë për media, ata thanë se janë në gjendje të rendë dhe se nuk janë duke u përkrahur nga Qeveria.

Në këtë reagim ata kanë bërë publike edhe një herë kërkesat e tyre, e një prej tyre është edhe pagesa e shtesave të rrezikshmërisë.

“Kërkojmë urgjentisht që të analizohet gjendja e rëndë që ka kapluar shërbimin e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Kosovë, përndryshe zjarrfikësit e kanë humbur durimin dhe unanimisht kërkojnë që për shkak të mosrealizimit të kërkesave dhe pritjeve me vite, mos përfilljes dhe anashkalimit që iu bëhen zjarrfikësve, të organizojnë protestë”.

Kështu tha Sindikata e Zjarrfikësve të Kosovës, e cila përmes një reagimi dërguar medieve, ka shprehur pakënaqësitë e tyre drejt institucioneve të shtetit.

Në reagimin e tyre, të cilin thonë se ia kanë dërguar edhe kryeministrit Albin Kurti dhe dikastereve relevante, ata thonë se janë në një situatë shumë të rëndë sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit.

Sindikata thotë se kërkesat e tyre kanë të bëjnë me shtesat për rrezikshmëri në punë, kërkesë e cila thonë se është injoruar tash e sa kohë, ndërsa thonë se e njëjta është realizuar për Policinë e Kosovës.

“Sot në mbledhjen e Qeverisë, me vendim u siguruan mjetet për rrezikshmëri në punë për policinë e Kosovës, ky vendim selektiv vetëm për një kategori të institucionit për siguri, duke i përjashtuar zjarrfikësit, institucionin me specifika të veçanta, ndër profesionet me rrezikshmëri të lartë për shëndetin dhe jetën, ka irrituar dhe ka shqetësuar pa masë zjarrfikësit e Kosovës. Ky vendim është i papranueshëm, edhe një herë dëshmon se zjarrfikësit nuk kanë përkujdesje institucionale, pa mbështetje, të diskriminuar me vite, të denigruar dhe të përbuzur me dekada”, thuhet tutje në komunikatën për media.

“Zjarrfikësit e Kosovës ende nuk janë kompensuar për ndërrime të natës, festat shtetërore dhe fetare, orët jashtë orarit (për vitin 2022) mandej moskompensimi i obligimeve për shtesa edhe të vitit 2023 dhe mospagesa edhe e orëve jashtë orarit ë  ftuar në mobilizim në veri, kjo gjendje dhe ky diskriminim ka arritur kulmin dhe zjarrfikësit e Kosovës kërkojnë drejtësi dhe kërkesat të plotësohen urgjentisht”, ka thënë kjo sindikatë në reagimin dërguar medieve.

Ata thonë se deri më tani asnjë përgjigje lidhur me kërkesat e tyre nuk kanë marrë nga institucionet shtetërore.

Prandaj, “apelojmë dhe kërkojmë nga institucionet qeveritare, nivelit qendror dhe lokal, ministrive përkatëse, deputetëve që urgjentisht të veprohet dhe të angazhohen që të rregullohet pozita e pazgjidhur e Zjarrfikësve, që të mbrojnë interesat e shërbimit të zjarrfikësve, të shqyrtohet gjendja e rëndë që ka kapluar shërbimin e zjarrfikësve, urgjentisht të sigurohen mjete buxhetore dhe të na krijoni mundësi, të krijoni kushte normale dhe t’i kryeni obligimet që keni ndaj Zjarrfikësve të Kosovës, angazhohuni që shërbimi të jetë funksional dhe të jetë i gatshëm që të kryejë misionin në mënyrë të dinjitetshme”.

Kërkesat e Sindikatës së Zjarrfikësve janë:

  • Të fillojë të kompensohet rrezikshmëria në punë;
  • Sigurimet shëndetësore;
  • Të rritet stafi me zjarrfikës të rinj, numri i tanishëm jashtë çdo kriteri;
  • Kontrollet sistematike të zjarrfikësve;
  • Të kompensohen obligimet për orët jashtë orarit, festat shtetërore dhe ndërrimet e natës për vitin 2022, siç jemi dakorduar në takim mbajtur me dt. 19.11.2021 me zv. Kryeministrin Z. Besnik Bislimi, ministrin Z. Hekuran Murati dhe ministrin, Z. Xhelal Sveçla;
  • Të kompensohen ndërrimet e natës, festat shtetërore dhe orët jashtë orarit për vitin 2023;
  • Të definohen kompetencat menaxhuese në mes AME/MPB-Komuna
  • Të përmirësohen kushtet e punës, të sigurohen pajisje dhe mjete për punë; dhe
  • Të sigurohet shujta

Ndryshe, Qeveria e Kosovës i ka miratuar sot shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës, duke mos i plotësuar kërkesat e NJSI-së, të cilët kishin shfaqur pakënaqësitë e tyre përmes protestës para Qeverisë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në pikën e dytë të mbledhjes së Qeverisë, “Shqyrtimi i Propozim-vendimit për miratimin e listës së pozitave për përfitimin e shtesës për kushtet specifike të punës” hyjnë edhe shtesat e rrezikshmërisë së Policisë së Kosovës.

Kabineti qeveritar sot votoi pro kësaj pike, edhe pas takimit të djeshëm që patën me pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese, pas protestave të tyre për pakënaqësitë që kanë në paga dhe në shtesa.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Promovohen dy libra të psikologut Fitim Uka nga Shtepia Botuese...

Nën vazhdën e aktiviteteve të panairit të 27-të të librit në Tiranë, Shtëpia Botuese "Dukagjini" sot ka mbajtur promovimin e dy librave të psikologut,...

Stane Gashi, nëna e UÇK-së

Nue Gashi dhe heroina, gruaja Stane Gashi, kishin 11 fëmijë, 3 vajza e 8 djemë. 3 prej djemve luftuan me armë në duar nën...

Të fundit nga rubrika