Në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është kryer për herë të parë një ndërhyrje e rrallë kirurgjike në hundë, përmes metodës së re FESS (Kirurgjia Endoskopike e Sinusëve).
Kjo ndërhyrje e rrallë u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook nga SHSKUK-ja.
Tutje, në postim thuhet se operacioni zgjati mbi 3 orë dhe është kryer nga dr. Arsim Thaqi, një kirurg i kualifikuar me përvojë të gjatë në institucione prestigjioze në Gjermani.
“Ai ka kryer operacionin në mënyrë vullnetare, me lejen dhe aprovimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa ka pasur asistencën e specialistëve dhe specializantëve të Klinikës së ORL-së”, thuhet në postim.