Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka biseduar të enjten me sekretarin e Jashtëm britanik, David Cameron, për mbështetjen e mëtejme të ushtrisë britanike për Ukrainën.
Cameron, ish-kryeministër britanik, i cili është emëruar në pozitën e sekretarit të Jashtëm, më 13 nëntor, e ka vizituar Kievin për të treguar mbështetjen britanike për Ukrainën, teksa lufta në Gazë rrezikon të tërheqë vëmendjen globale prej luftës së Rusisë ndaj fqinjës së saj.
Në njoftimin e Zelensky-t, i cili ka ardhur pas një vale të sulmeve ruse me dronë në Ukrainë, nuk janë dhënë informacione se kur është zhvilluar vizita e Cameron-it.
“Ne kemi pasur takim të mirë, të fokusuar në armët në front të luftës, kemi diskutuar për forcim të mbrojtjes ajrore dhe mbrojtje të njerëzve dhe infrastrukturës kritike”, është cituar të ketë thënë Zelensky në X – platformë e njohur më parë si Twitter.
“Bota nuk është aq e fokusuar në situatën në fushëbetejë në Ukrainë, dhe kjo tërheqje e fokusit nuk është duke ndihmuar”, ka thënë mes të tjerash Zelensky.
Camroni, në anën tjetër, ka thënë se vizita e tij ka për qëllim të sigurojë Kievin për “mbështetjen morale, mbështetjen diplomatike, mirëpo, mbi të gjitha, mbështetjen ushtarake që ju duhet jo vetëm këtë vit dhe vitin tjetër, por aq sa të ketë nevojë”, për Ukrainën, në përpjekjet e saj për ta luftuar agresionin rus.
Më 15 nëntor, Zelensky ka thënë se Ukraina nuk mund ta përballojë një bllokadë në luftën kundër Rusisë.
“Nëse ne dëshirojmë t’i japim fund luftës, ne duhet ta përfundojmë atë”, ka thënë ai në një intervistë për gazetarët afrikanë.
Sipas Zelensky-t, nëse lufta bllokohet, gjeneratat e ardhshme të ukrainasve do të duhet të luftojnë, sepse Rusia “do të vijë sërish, nëse nuk i tregohet vendi”.
Mbrojtja ajrore ukrainase ka thënë përmes një deklarate, më 16 nëntor, se i ka rrëzuar 16 prej 18 dronëve të prodhuar nga Irani, të lansuar nga Rusia përgjatë natës.
Në deklaratë është thënë se alarmet janë lëshuar në shumë rajone ukrainase, pa e specifikuar numrin.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL