Boris Bondarev, një veteran njëzetvjeçar i shërbimit diplomatik të Rusisë, të hënën ka njoftuar dorëheqjen e tij, në shenjë proteste ndaj shtetit të tij për luftën në Ukrainë.
Diplomati i dërguar në misionin rus në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, ka postuar një deklaratë në një llogari në Linkedln duke dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe duke dhënë kritika për Ministrinë e Punëve të Jashtme ruse për bashkëpunim në atë që ai e përshkroi si një “luftë agresive”.
“Për njëzet vjet të karrierës sime diplomatike kam parë kthesa të ndryshme të politikës sonë të jashtme, por kurrë nuk kam pasur aq turp për vendin tim sa më 24 shkurt të këtij viti,” ka shkruar Bondarev, duke iu referuar vendimit të presidentit rus Vladimir Putin, për të pushtuar Ukrainën.
Sipas tij, lufta e nisur nga Putini kundër Ukrainës nuk cilësohet vetëm si krim ndaj popullit ukrainas por një ndër krimet më të rënda kundër popullit të Rusisë.
Gazeta e biznesit rus Kommersant ka konfirmuar vërtetësinë e postimit. Po ashtu New York Times konfirmoi dorëheqjen dërguar me email diplomatëve në Gjenevë, transmeton CNN.
Komentimi mbi këtë çështje është refuzuar nga misioni rus në OKB në Gjenevë.
Sipas Bondarev, lufta ka nisur për një gjë, për mbajtjen e pushtetit dhe jetën luksoze, e për këtë ata janë të gatshëm të sakrifikojnë shumë jetë. Mijëra rusë dhe ukrainasë kanë humbur jetën si pasojë e kësaj.
Ai veçoi edhe MPJ-në ruse për kritikat e ashpra.
“Me keqardhje pranoj se gjatë gjithë këtyre njëzet viteve niveli i gënjeshtrës dhe joprofesionalizmit në punën e Ministrisë së Jashtme është rritur gjatë gjithë kohës. Megjithatë, vitet e fundit kjo është bërë thjesht katastrofike. Në vend të informacionit të paanshëm, analiya të paanshëm dhe parashikime të matura, ka klishe propagandistike në frymën e gazetave sovjetike të viteve 1930”, ka shtuar Bondarev.