Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar “Ulpiana”, ku gjatë fjalimit të tij, ishte cak i një aksioni simbolik të aktivistëve të PSD-së.
Ata ia ndërprenë fjalimin Kurtit, duke ia lëshuar në zmadhues disa deklarime të tij ku e mohonte Asociacionin ose “Zajednicën”.
Këtë e bëri të ditur kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili tha se Kurti për ta ruajtur pushtetin e tij po ia sjell Kosovës, “Zajednicën”.
“Para pak çastesh, PSD-ja ia ndali fjalimin kryeministrit, duke ia lëshuar me zmadhues veten e tij kur e mohonte Zajednicën. Sot, për ta ruajtur pushtetin e vet, Zajednicën po ia sjell Kosovës. Nuk do të ketë normalitet me Zajednicën në Kosovë, e me Albin Kurtin kryeministër!”, ka shkruar Molliqaj, duke e shpërndarë një video nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu, gjatë fjalimit të Kurt,i aktivistja e PSD-, Donjeta Demolli, po mbante një parullë ku shkruante “Pe do pushtetin, pe bën Zajednicën”.
E njëjta, sipas Molliqajt, është arrestuar, dhe kështu ka kërkuar lirim e saj.
“I papranueshëm arrestimi i aktivistes së PSD-së, Donjeta Demolli. Pushtetit i Albin Kurtit që Kosovës po ia sjell Zajednicën, po i pengon një parullë që e tregon të vërtetën për të. Po i pengon zëri i tij kur dikur e mohonte këtë Zajednicë. Po i pengon vetja kur shihet në pasqyrë!
Por, Albin Kurti e di më mirë se kushdo: nuk mund të ketë qetësi e normalitet, me Zajednicën që po ia sjell Kosovës. E mbase kjo po i pengon më së shumti. Kërkojmë menjëherë lirimin e aktivistes së PSD-së, Donjeta Demolli!”, ka shkruar Molliqaj.