Pas një debati që ka zgjatur që nga mëngjesi, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për buxhetin e vitit 2024, me 62 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim.
Megjithatë, deputetët e opozitës kanë refuzuar të marrin pjesë në votim dhe kanë lëshuar sallën në shenjë proteste.
Buxheti, tashmë i miratuar për vitin e ardhshëm, arrin në një shifër prej mbi 3.3 miliardë euro – nga 3.2 miliardë sa ishte në këtë vit.
Nga ky total, mbi 1 miliard euro parashikohen për subvencione dhe transfere, 850 milionë euro për shpenzime kapitale, 800 milionë euro për paga dhe shtesa, ndërsa afro 500 milionë euro do të shkojnë për blerjen e mallrave dhe shërbimeve.
Kujtojmë se Projektligji është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor.
Sipas Qeverisë së Kosovës, buxheti do të rritet në disa sektorë vitin e ardhshëm, përfshirë: sigurinë, shëndetësinë, ekonominë dhe arsimin.
Gjithashtu, buxheti i vitit 2024 parasheh edhe rritjen e koeficientit të pagave nga 105 euro – sa është aktualisht – në 110.
Ndërkohë që Kuvendi miratoi Projektligjin për buxhetin e vitit 2024 me një shumicë të thellë, partitë opozitare ishin kundër tij.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka theksuar se planifikimi aktual nuk ofron alternativa zhvillimore dhe nuk është në përputhje me “mirëqenien e qytetarëve”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shprehur shqetësimin e saj për zvogëlimin e real të pagave, veçanërisht për rritjen e koeficientit nga 105 në 110 euro.
Kjo parti gjithashtu ka shprehur shqetësimin për “mohimin e pagesave shtesë për rrezikshmëri për Policinë e Kosovës dhe mosndarjen e shtesave për Ministrinë e Punëve të Brendshme”.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), gjithashtu, ka shprehur kritikat e saj ndaj strukturës së buxhetit, duke vërejtur një rënie prej 16 për qind në investimet kapitale.
Po ashtu, deputetë nga kjo parti kanë theksuar një rritje masive të subvencioneve dhe një ulje të investimeve kapitale, duke kërkuar rishikim të menjëhershëm.
Përfaqësues të LDK-së kanë bërë thirrje për një rishikim të çështjes së pagave dhe skemave sociale, duke sugjeruar indeksimin e tyre me normën e inflacionit.