Në Gjykatën Themelore të Pejës, ka nisur seanca fillestare ndaj te akuzuarit Urim Hysenit i akuzuar për vrasjen e nënës së tij në mënyrë mizore.
Ekipi i terrenit të RTV Dukagjinit, ka njoftuar se seanca është mbyllur për publikun dhe mediat pas kërkesës së mbrojtësit të viktimave e që është pajtuar edhe prokuroria edhe avokati i të akuzuarit.
Në hyrje të gjykatës gazetarëve u janë marrë telefonat për të mos lejuar incizimin e seancës.
Mbrojtësi i viktimës mbylljen e seancës e ka arsyetuar me faktin se kjo çështje ka të beje me dhunën në familje që la përfunduar me vrasje.
Kanë qenë vetëm këto deklarime që janë dëgjuar nga mediat të cilat kanë qenë prezentë rreth 5 minuta.
“Kjo çështje te jete e mbyllur për publikun pasi rasti ka të bëjë me dhunë në familje që ka përfunduar me vrasje dhe të gjitha rastet e dhunës në familje janë të mbyllura”, ka thënë mbrojtësja e viktimave.
E avokati i të akuzuarit Asdren Mekaj, ka thënë se do të diskutohet ekspertiza psikiatrike e klientit të tij. “edhe ne kërkojmë që kjo seancë të jetë e mbyllur për publikun për arsye se gjatë kësaj seance ne do të diskutojmë një ekspertizë e cila na flet për gjendjen shëndetësore të te mbrojturit tim dhe çdo diskutim lidhur me këtë ekspertize duhet te jete i mbyllur për publikun”, ka thënë avokati.
Derisa më kërkesën e mbrojtësit të viktimave, është pajtuar edhe prokuroria Sahide Gashi.
Gjyqtarja Violeta Husaj Rugova, ka pyetur edhe të akuzuarin Urim, i cili nuk ka folur por vetëm ka pohuar me kokë, ndërkohë që më pas seanca është mbyllur për publikun e mediat.
Urim Hyseni akuzohet se më 14 prill të këtij viti ka vrarë nënën e tij duke i shkaktuar më shumë se 20 plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Po ashtu, pasi ka vrarë nënën e tij, Urim Hyseni dyshohet se ka sulmuar me thikë babain dhe tezen e tij.
Prokuroria Themelore në Pejë, më 9 tetor 2023, kishte ngritur aktakuzë ndaj Urim Hysenit, i cili akuzohet se vrau në mënyrë mizore nënën e tij.
Sipas aktakuzës i akuzuari Urim Hyseni më 14 prill 2023, në shtëpinë e tij në Pejë, ka privuar nga jeta në mënyrë mizore nënën e tij, viktimën H.H., në rrethanat e përgjegjësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale.
Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit dhe viktimës, për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, i akuzuari në mënyrë mizore kryen vrasjen e viktimës.
Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Më 14 prill 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se një person dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Pejë.
Më 11 maj i është vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi të dyshuarit për vrasjen e nënës.