Enver Dugolli ka thënë se vullneti politik i qeverisë për të mbështetur Policinë e Kosovës ka treguar rezultat, i cili më së miri po tregohet nga aksionet e fundit të saj.
Zëvëndës kryetari i Komisionit për Çështjet dhe Sigurinë e Kosovës nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se janë dëshmitarë të territorit kontrabandist të minimizuar nga Policia e Kosovës, gjë për të cilën shteti duhet të inkurajojë organet.
Megjithëse Policia e Kosovës është organ i pavarur, Dugolli ka thënë se aksionet në të kaluarën kanë treguar që ka ekzistuar një lidhje mes këtij institucioni dhe rendit politik.
“Ju e dini që ka pasur ndërhyrje në polici, dhe nga ky prizëm dua të besoj që vullneti politik është i rëndësishëm që të mos pengojë Policinë e Kosovës në kryerjen e detyrave të saj”, ka thënë Dugolli, për RTV Dukagjinin.
Dugolli ka folur edhe mbi policinë e Mitrovicës së Veriut, për të cilët ka thënë se kryejnë detyrat në të njëjtën vijë komanduese si stacionet e tjera të policisë në qytetet e Kosovës.
Ndonëse në radhët e opozitës, LVV kritikonte policinë, Dugolli ka thënë se “ne kemi kritikuar shkallën politike dhe jo policinë”, duke shtuar se aso kohe, Policia e Kosovës instrumentalizohej nga politika.
Më tej, ai ka shtuar se e sheh të nevojshme që tashmë Policisë së Kosovës t’i mundësohet sigurimi shëndetësor, kërkesë e cila është premtuar të realizohet deri në fund të vitit, ose të paktën të fillojë të implementohet.
Enver Dugolli është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2018, e njëherësh edhe anëtar i Këshillit te Përgjithshëm.