Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi këtë të shtunë Vasfije Krasniqi-Goodman, ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës dhe zërin e fuqishëm në avokimin për mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Krasniqi-Goodman ndau observimin e saj lidhur me punën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë takimit thuhet se u diskutua edhe fillimi i punës në dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë përmes Institutit të themeluar rishtazi.
“Kryeministri Kurti e falënderoi znj. Goodman për rolin e saj, angazhimin e pareshtur, kurajën e pashoq për avokimin e të drejtave të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm”, bëhet e ditur në komunikatën për media.