Të martën, kontenjerët e mbeturinave ishin të stërmbushura në rrugët e disa lagjeve të Prishtinës, për shkak të mosmbledhjes së tyre.
Edhe pse nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka paralajmëruar pastrimin e kontenjerëve dhe hapësirave përreth tyre, ende nuk është bërë grumbullimi i mbeturinave në disa lagje.
Në lagjen ”Bregu i Diellit”, kontenjerët e mbeturinave mbeten ende të stërmbushura, e ky kaos po paraqet shqetësim për banorët e kësaj lagjeje, të cilët presin zgjidhje.
Para disa orësh për këtë situatë, ka reaguar edhe kompania “Pastrimi’’, e cila ka njoftuar se mosmbledhja e mbeturinave ka ndodhur si pasojë e mungesës së hapësirës se ku t’i zbrazin kamionët, për shkak të mbylljes së Deponisë së Grumbullimit të Mbeturinave në Mirash.
Me anë të një postimi në Facebook, kompania ka njoftuar se është bërë hapja dhe ka filluar zbrazja e tyre.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj duke kërkuar ndjesë dhe mirëkuptim nga qytetarët. Ai, gjithashtu, ka njoftuar se ka filluar pastrimi i qytetit.
Kërkojmë falje për këtë gjendje! Kompania për menaxhimin e deponive nuk po e lejon Kompaninë 'Pastrimi' të bëj zbrazjen e mbeturinave, për shkak të borxhit që kjo e fundit i ka të parës! Jemi duke e zhbllokuar këtë situatë, në mënyrë që të vazhdojmë me grumbullim të mbeturinave. pic.twitter.com/ctWQX8qQB7
— Alban Zogaj (@albanzogaj) May 24, 2022
Por, pamjet e dërguara nga qytetarët tregojnë të kundërtën e asaj që kanë deklaruar autoritetet komunale dhe vetë kompania.
Në një video shihen pamje edhe nga lagjia ”Pejton”, ku mbeturinat përveç kontenjerëve të stëmbushur, janë shpërndarë edhe në hapësirën përreth tyre.
Nis pastrimi i kontejnerëve të stërmbushur me mbeturina në Prishtinë