Një shkrim në Facebook, e solli ministren e drejtësisë, Albulena Haxhiu në Departamentin e Hetuesisë në Policinë e Kosovës.
Këtu ajo u paraqit pas thirrjes nga prokurori që ka në dorë rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
“Në shtatë vjetorin e vdekjes së Deharit, ministrja shkroi se aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje u vra dhe se provat ekzistojnë”.
Kjo ishte edhe pyetja kryesore që ministres iu bë për një orë e gjysmë intervistimi nga hetuesit policor.
Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë ka theksuar se “Nga unë ka kërkuar që t’i tregoj se kush janë kryerësit e kësaj vepre penale. Po t’i kisha unë emrat, nuk do të prisja shtatë vite. Nuk do të prisja as një minutë. Për këtë është përgjegjës prokurori i cili po e heton këtë lëndë, dhe po e mban peng”.
Haxhiu thotë se është habitur me reagimin e shpejtë të prokurorit të rastit, i cili mungoi në intervistim, duke e kritikuar për mos-reagimin ndaj deklaratave të zyrtarëve të tjerë, përfshirë ata që kishin pretenduar se Dehari ishte vetëvrarë.
E mllefosur me prokurorin Afrim Shefkiu, Haxhiu renditi disa çështje, të cilat ajo pretendon se nuk u trajtuan, si vdekja e dyshimtë e Naser Makollit në burgun e Lipjanit, por edhe kontradiktat me deklaratat e Adonis Gashit.
Ministrja Haxhiu, dyshimet se vdekja e Astrit Deharit ishte një vrasje, i ka ndërlidhur edhe me një veprim që Hashim Thaçi e bëri sa ishte President.
Haxhiu ka shtuar se “Luza Llakajt, poashtu shok i dhomës së Astritit i është hequr 3.5 vite nga dënimi nga ish-Presidenti Thaçi. Llakaj ishte i dënuar për vrasjen e një 13 vjeçari. Siç po e shihni, të gjithë shokët e Astritit ose nuk janë gjallë ose janë privilegjuar, ose nuk janë shfrytëzuar sa duhet”.
Në kohën e futjes së Haxhiut në objektin e Policisë ku u intervistua, ka qenë e shoqëruar nga avokati i vamiljes Dehari, Tomë Gashi, që kishte kërkuar të jetë prezent në proces, por kërkesa rezultoi se nuk ishte pranuar.
Avokat i familjes Dehari, Tomë Gashi ka potencuar se “Ne përveç që i drejtohemi prokurorit me shkrim, secili mund ta sheh, kërkesa është e ditës së sotme dhe kjo është kërkesë e përsëritur që e kemi dërgu prej momentit që e kemi marrë vesh se prokurori don ta intervistoj Albulena Haxhiun…Këta vetëm deklarojnë se prokurori i ka njoftuar që mos të lejoj prezencën time me rastin e marrjes në pyetje të zonjës Haxhiu. Kaq”
Gashi ka kërkuar që prokurori Afrim Shefkiu të largohet nga hetimi i këtij rasti, kërkesë që është mbështetur edhe nga ministrja Albulena Haxhiu.
Më 5 nëntor të këtij viti, janë bërë 7 vjet prej kur Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Rasti i tij fillimisht ishte trajtuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, për t’i kaluar më vonë Prokurorisë Speciale.