Rusia ka futur fituesen ukrainase të garës së këngës Eurovision, Jamalan, në listën e saj të personave të kërkuar, raporton “BBC”.
Këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës është Susana Jamaladinova, raportohet se është akuzuar për shpërndarje “të informatave false për forcat e armatosura ruse”.
Kremlin shpesh ngre akuza të tilla ndaj personave që kundërshtojnë pushtimin rus të Ukrainës.
Jamala haptas ka akuzuar pushtimin rus të Ukrainës.
Ajo është vendosur në listën e personave të kërkuar muajin e kaluar, sipas uebfaqes për të drejtat e njeriut në Rusi “Mediazona”.
Detajet për vendosjen e emrit të saj në këtë listë janë publikuar vetëm të hënën. Kanali rus në Telegram, “Shot” ka pretenduar se Jamala është në këtë listë për “postim të informatave false” në lidhje me mizoritë në qytetin ukrainas Bucha në vitin 2022.