Sekretari për organizim në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, e ka cilësuar si fatkeqësi djegien e ndërtesës së Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Ai ka kërkuar që sa më parë, duhet të ketë informata se çka e shkaktoi zjarrin dhe çfarë u dogj?
“Cilat janë dëmet dhe a janë shkatërruar provat e ndonjë rasti? Rastësi jo e vogël kjo ngjarje, një ditë pas intervistimit nga Prokuroria të ministres Albulena Haxhiu. Nën vëzhgimin e saj, më 8 dhjetor të vitit të kaluar, ishin zhdukur edhe mostrat e Astrit Deharit”, tha Gjoshi përmes një reagimi në faqen e tij në Facebook.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se dy zyra janë përfshirë nga zjarri dhe se nuk raportohet për të lënduar.
Sipas saj, zjarrfikësit e kanë lokalizuar zjarrin.
“Sot rreth orës 08:00 është raportuar se në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë , dy zyra janë përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht, policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha ajo.