Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka reaguar në lidhje me djegien e dy zyrave të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML) në mëngjesin e së martës.
Tahiri ka theksuar se rasti është tepër shqetësues dhe se duhet zbardhur sa më parë.
Po ashtu, ka kritikuar Ministrinë e Drejtësisë, duke përmendur zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit dhe dështimin, sipas tij, për t’i shtuar kapacitetet e mbrojtjes dhe sigurisë së IML-së.
Ai gjithashtu ka thënë se “sulmet dhe fyerjet e udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë” ndaj ekspertëve mjeko-ligjorë, kanë cenuar besimin e publikut në IML.
“Pas skandalit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, dështimit për t’i shtuar kapacitetet e mbrojtjes dhe të sigurisë së IML-së, sulmeve dhe fyerjeve të udhëheqësve të Ministrisë së Drejtësisë ndaj ekspertëve mjeko-ligjorë, ka cenuar thellë edhe besimin e publikut në punën e këtij institucioni, i cili si i tillë, është në vartësi të drejtpërdrejtë menaxheriale të Ministrisë së Drejtësisë”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Tahiri ka deklaruar se Qeveria po bën përpjekje të vazhdueshme për ta degraduar punën dhe imazhin e IML-së dhe se kjo kërkon një trajtim urgjent nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore e ka kapluar zjarri mëngjesin së martës.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se dy zyra janë përfshirë nga zjarri dhe se nuk raportohet për të lënduar.
Ministria e Drejtësisë ka reaguar në lidhje me zjarrin në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML).
Në reagimin e tyre thuhet se zjarri është lokalizuar dhe se ende nuk dihen shkaqet.