Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, së bashku me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, sot kanë mbajtur një takim lidhur me nisjen e negociatave për plotësim-ndryshimin e Traktatit për Ekstradim, ndryshime këto “që do t’i eliminojnë pengesat e ekstradimit të shtetasve mes dy shteteve”.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se kjo është marrëveshja e parë me një shtet të Bashkimit Evropian për ekstradimin e shtetasve, dhe sipas saj, kjo do të thotë se Republika e Italisë i beson sistemit gjyqësor dhe korrektues.
Tutje, ministrja Haxhiu tha se me plotësim-ndryshimin e këtij Traktati, Kosova dhe Italia nuk do të jenë strehë e sigurt për ata që u janë shmangur drejtësisë.
Ministrja Haxhiu tha se përmes këtyre marrëveshjeve thellohet akoma më shumë bashkëpunimi mes Kosovës dhe Italisë drejt forcimit të sundimit të ligjit mes dy shteteve.